Skip to content

CRYZTAL DOMINION

  • HOME
  • READINGS
  • MAGICK
  • TAROT
  • BLOG
    • Astrology
    • Divination
    • Magick
Log in
    • HOME
    • READINGS
    • MAGICK
    • TAROT
    • BLOG
      • Astrology
      • Divination
      • Magick
    Cryztal
    Log in Cart

    Item added to your cart

    Access Denied
    IMPORTANT! If you’re a store owner, please make sure you have Customer accounts enabled in your Store Admin, as you have customer based locks set up with EasyLockdown app. Enable Customer Accounts
    Nyja e Veriut në Ujor dhe Nyja e Jugut në Luan

    Nyja e Veriut në Ujor dhe Nyja e Jugut në Luan

    August 23, 2026
    Share

    Kur e kaluara kthehet me bujë, por ti nuk e ndien më njësoj

     

    Tani që Nyja e Veriut ka hyrë në Ujor dhe Nyja e Jugut në Luan, kemi hyrë në një cikël astrologjik që nuk ka të bëjë thjesht me “të jesh më social”, “të gjesh komunitetin tënd” apo me ato interpretimet e bukura, sterile dhe të paketuara mirë që e bëjnë çdo tranzit të tingëllojë si një seminar i Ermal Mamaqit. Jo. Ky aks është shumë më i ndërlikuar se kaq, sepse Ujori dhe Luani flasin për një nga konfliktet më të vjetra njerëzore: nevojën për të qenë dikush dhe nevojën për t’i përkitur diçkaje më të madhe se vetja. Nyja e Jugut në Luan po hap një magazinë të tërë me histori të vjetra rreth egos, dashurisë, krijimtarisë, famës, vëmendjes, krenarisë, romancës, fëmijëve, talentit dhe nevojës për t’u parë. Ndërkohë Nyja e Veriut në Ujor na tërheq drejt së ardhmes, drejt grupeve, ideve, rrjeteve, teknologjisë, miqësive, kolektivit dhe një mënyre shumë më të ftohtë, por edhe më objektive, për të kuptuar vendin tonë në botë. Dhe sikur kjo të mos ishte mjaftueshëm interesante, Jupiteri ndodhet në Luan bashkë me gjithë këtë histori të Nyjës së Jugut, ndërsa Saturni, sundimtari tradicional i Ujorit, është retrogradë në Dash. Pra universi, simbolikisht, nuk po na jep një tranzit të pastër. Na ka hedhur në një dhomë Jupiterin, Saturnin, Diellin dhe Nyjet dhe ka thënë: “Okay fuckers, tani zgjidheni mes jush çfarë duhet të vazhdojë dhe çfarë duhet të vdesë.”

    Nyja e Jugut është veçanërisht interesante sepse ajo nuk funksionon vetëm si “e kaluara”. Ky është interpretim shumë i varfër. Nyja e Jugut është diçka që e njohim aq mirë sa nuk kemi më nevojë të mendojmë për të. Është një model i konsumuar, një gjuhë që shpirti simbolikisht e flet pa theks, një mënyrë sjelljeje që vjen automatikisht. Prandaj ajo mund të sjellë rikthime, njerëz të vjetër, mundësi të vjetra dhe histori të papërfunduara, por njëkohësisht mund të prodhojë një ndjesi të çuditshme boshllëku. Sepse kur diçka është konsumuar, ajo mund të vazhdojë të ekzistojë pa të ushqyer më. Dhe tani kjo po ndodh në Luan. Pra pyetja nuk është vetëm “çfarë po kthehet nga e kaluara?” Pyetja është shumë më e parehatshme: çfarë po kthehet që dikur do të të kishte bërë jashtëzakonisht të lumtur, por tani mund të mos të të japë më të njëjtën ndjesi? Kjo është pika ku ky tranzit bëhet psikologjikisht shumë më interesant.

    Luani dëshiron të ndihet i gjallë. Është shenjë dielli, krijuese, dramatike dhe e orientuar drejt vetëshprehjes. Luani dëshiron dashuri që ndihet. Dëshiron sukses që shihet. Dëshiron të krijojë diçka që mban vulën e tij. Dëshiron të thotë “këtë e bëra unë” dhe të ketë një moment të vogël ku universi, ose të paktën pesë njerëz në Instagram, thonë “wow”. Dhe kjo nuk është domosdoshmërisht ego patologjike; është një nevojë njerëzore për të ndier se ekzistenca jonë ka një shenjë personale. Por kur Nyja e Jugut kalon nëpër Luan, fillon të konsumojë nevojën për të marrë identitet vetëm nga ajo skenë. Papritur duartrokitjet mund të mos tingëllojnë aq fort. Vëmendja mund të vijë, por mund të mos të mbushë. Mund të arrish diçka që ke kërkuar prej vitesh dhe reagimi yt të jetë çuditërisht: “Okay… dhe tani çfarë?” Pikërisht këtu hyn mpirja.

    Dhe unë do ta interpretoja këtë mpirje jo domosdoshmërisht si diçka negative. Në fakt, ajo mund të jetë një nga mekanizmat më inteligjentë të këtij tranziti. Sepse ndonjëherë mënyra e vetme për të na shkëputur nga një dëshirë është të na lejohet ta përjetojmë përsëri dhe të kuptojmë se nuk ka më të njëjtën fuqi mbi ne. Imagjino një person që për vite të tëra ka menduar se lumturia e tij do të vinte kur një njeri i caktuar të kthehej. Pastaj ai person kthehet. Telefoni ndizet. Mesazhi vjen. Zemra bën atë kërcimin e vjetër prej delenxhiu për pesë minuta. Takohen. Flasin. Dhe papritur personi kupton: “Holy fuck. Unë kam ndryshuar.” Jo domosdoshmërisht sepse tjetri është bërë më keq, por sepse dëshira që dikur dukej monumentale tani i përket një versioni të vjetër të vetes. Kjo është një mënyrë shumë e thjeshtë për të kuptuar Nyjën e Jugut: e kaluara rikthehet jo gjithmonë për t’u rimarrë, por ndonjëherë për të provuar se nuk të zotëron më.

    Por tani fut Jupiterin në Luan dhe gjithë kjo bëhet shumë më e madhe. Sepse Jupiteri nuk di të pëshpërisë. Jupiteri zmadhon, zgjeron, shumëfishon dhe shpesh sjell një ndjesi se diçka ka potencial shumë më të madh sesa më parë. Kur kjo energji përzihet me territorin e Nyjës së Jugut, atëherë unë nuk do ta lexoja vetëm si “heqje dorë”. Mund të kemi rikthimin e mundësive të mëdha, të njerëzve që dikur kishin ndikim të madh mbi jetën tonë, të projekteve që nuk u realizuan, të talenteve që i lamë mënjanë, të ambicieve krijuese që menduam se kishin vdekur dhe madje të periudhave të jetës që duket sikur po përsëriten në një nivel tjetër. Jupiteri mund ta marrë një fije të vogël nga e kaluara dhe ta tërheqë derisa të dalë gjithë sixhadja. Dhe pastaj ti rri aty duke parë gjithë historinë dhe thua: “Oh, fuck. Pra kjo qenka ende këtu.”

    Kjo është arsyeja pse bashkimi simbolik Jupiter–Nyja e Jugut mund të jetë kaq paradoksal. Jupiteri thotë më shumë, ndërsa Nyja e Jugut thotë këtë e kemi bërë më parë. Jupiteri thotë rritu, ndërsa Nyja e Jugut thotë lirohu. Jupiteri sjell mundësinë e zgjerimit, por Nyja e Jugut mund ta heqë urinë që dikur kishim për atë zgjerim. Kështu që mund të ndodhë diçka shumë e çuditshme: jeta të sjellë më shumë, pikërisht në momentin kur ti je duke mësuar se nuk të duhet më aq shumë. Dikush mund të marrë më shumë vëmendje dhe të zbulojë se nuk i intereson më fama. Dikush mund të ketë shumë admirues dhe të kuptojë se kërkon vetëm një lidhje. Dikush mund të fitojë më shumë para nga një projekt krijues dhe të kuptojë se nuk do ta bëjë më atë punë. Dikush mund të marrë validimin që kërkonte prej dhjetë vjetësh dhe të zbulojë se validimi nuk shëroi asgjë. Kjo është një formë e çuditshme çlirimi, sepse ndonjëherë universi nuk ta heq drogën; të jep aq shumë prej saj sa kupton se nuk të deh më.

    Por mos e interpretoni këtë si një periudhë ku çdo gjë nga e kaluara duhet hedhur në plehra. Fuck that. Nyja e Jugut nuk është kosh plehrash. Ajo është edhe depozitë aftësish. Në Luan, kjo depozitë përmban krijimtari, kurajë, vetëbesim, aftësi për të performuar, për të udhëhequr, për të dashur me zemër të hapur, për të krijuar art, për të ndërmarrë rrezik personal dhe për të qenë i dukshëm. Jupiteri mund të fryjë jetë të re pikërisht në këto talente. Prandaj disa njerëz mund të rikthehen te një aktivitet që e kishin braktisur vite më parë dhe kësaj here ta bëjnë në një shkallë shumë më të madhe. Dikush që dikur shkruante mund të fillojë përsëri. Dikush që kishte lënë muzikën mund të rikthehet. Dikush mund të rikthehet te skena, te biznesi i vet, te një ide krijuese, te puna me fëmijë, te një pasion që ishte varrosur nën përgjegjësitë e jetës. Nyja e Jugut mund të thotë: ti e njeh këtë gjuhë tashmë, ndërsa Jupiteri thotë: atëherë fol më fort këtë herë.

    Dhe këtu duhet të shohim sundimtarin e Nyjës së Jugut, sepse Luani nuk ekziston në vakum. Sundimtari i tij është Dielli, dhe tani Dielli po kalon në Virgjëreshë. Kjo e ndryshon menjëherë tonin. Gjithë materiali i madh, dramatik dhe emocional që po hapet në Luan duhet të kalojë përmes filtrit të Virgjëreshës: analizë, rend, praktikë, punë, selektim, përmirësim. Është sikur pas një feste madhështore të ndizet drita e kuzhinës në gjashtë të mëngjesit dhe papritur të shohësh gotat bosh, letra në dysheme dhe dikë që ka fjetur mbi çantën tënde. Luani thotë, “Çfarë nate!” Virgjëresha thotë, “Po, po, shumë bukur. Kush do ta pastrojë këtë mut?”

    Prandaj hyrja e Diellit në Virgjëreshë mund të na ndihmojë të kuptojmë çfarë vlere praktike kanë rikthimet që po sjell Luani. Nëse një mundësi e vjetër kthehet, çfarë mund të ndërtohet realisht prej saj? Nëse një marrëdhënie kthehet, çfarë ka ndryshuar konkretisht? Nëse një projekt kthehet, çfarë sistemi i mungonte herën e parë? Nëse rikthehet dëshira për të qenë i dukshëm, çfarë ke për të ofruar përtej imazhit? Virgjëresha nuk kënaqet me dramën e rikthimit. Ajo kërkon prova. Kërkon metodë. Kërkon që gjërat të funksionojnë edhe të martën në orën 10:40 të mëngjesit kur askush nuk është emocional dhe askush nuk po të duartroket. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse mund të ndajë rikthimet reale nga nostalgjia e bukur, por e padobishme.

    Ndërkohë në anën tjetër të aksit kemi Nyjën e Veriut në Ujor. Kjo është ajo që e bën gjithë historinë më të madhe se sa një seri rikthimesh personale. Sepse drejtimi nuk është thjesht “lëre Luanin”. Drejtimi është merre atë që Luani di të bëjë dhe çoje drejt Ujorit. Merre talentin individual dhe bëje të dobishëm për një rrjet. Merre krijimtarinë dhe lidhe me një ide. Merre famën dhe pyet çfarë mund të ndërtosh me ndikimin. Merre lidershipin dhe krijo njerëz të tjerë që mund të udhëheqin. Merre historinë personale dhe ktheje në diçka që mund të ndihmojë kolektivin. Ky është kalimi nga “më shikoni mua” te “shikoni çfarë mund të ndërtojmë”.

    Ujori nuk e urren individin. Kjo duhet kuptuar. Ujori nuk kërkon që të gjithë të bëhemi robotë pa personalitet që mbajnë të njëjtën uniformë gri dhe flasin për “komunitetin”. Përkundrazi, Ujori ka nevojë për individë shumë të veçantë. Por nuk është aq i interesuar në adhurimin e individit. Është i interesuar në funksionin e tij brenda sistemit. Luani pyet: “A jam special?” Ujori pyet: “Okay, dhe çfarë do bësh me këtë?” Ky ndryshim është brutal për egon, por jashtëzakonisht produktiv. Sepse mund të kemi kaluar vite duke ndërtuar personal brands, identitete, audienca dhe imazhe. Tani pyetja bëhet: çfarë infrastrukture ekziston pas gjithë kësaj? Nëse ti zhdukesh nesër, a mbetet ndonjë gjë që funksionon?

    Dhe tani arrijmë te Saturni, sepse sundimtari tradicional i kësaj Nyje të Veriut në Ujor ndodhet në Dash dhe aktualisht është retrogradë. Kjo më intereson jashtëzakonisht shumë, sepse do të ishte shumë më e thjeshtë nëse Saturni do të ishte direkt. Do të thoshim: ndërto, organizo, ec përpara. Por jo. Fucking Saturni është retrogradë. Kështu që drejtimi i ri kolektiv po udhëhiqet nga një planet që aktualisht është duke rishikuar mënyrën se si fillojmë, veprojmë, luftojmë, marrim iniciativë dhe deklarojmë veten.

    Saturni në Dash është një kombinim që kërkon pjekuri të jashtëzakonshme të vullnetit. Dashi do të veprojë tani. Saturni thotë prit. Dashi thotë “unë dua”. Saturni pyet “a je gati të mbash përgjegjësinë për atë që dëshiron?” Dashi nis luftën; Saturni kërkon strategjinë. Dashi e ndez motorin; Saturni dëshiron të dijë nëse makina ka frena. Dhe kur Saturni është retrogradë, shumë nga këto pyetje nuk zgjidhen menjëherë në botën e jashtme. Ato futen brenda. Kështu që muajt e parë të Nyjës së Veriut në Ujor mund të kenë një atmosferë të çuditshme ku ne e dimë se e ardhmja po ndryshon, por ende nuk kemi strukturën e plotë për të. Mund ta shohim derën, por ende po kontrollojmë nëse kemi çelësat e duhur.

    Kjo mund të krijojë frustrim. Mund të ketë ide të mëdha për të ardhmen, por vonesa në implementim. Mund të krijohen miqësi dhe aleanca të reja, por duhet kohë për të kuptuar kush është serioz. Mund të kemi dëshirë për të filluar projekte, kompani, komunitete ose sisteme të reja, por të zbulojmë se mënyra jonë e vjetër e lidershipit nuk funksionon. Dhe kjo është pjesë e procesit. Saturni retrogradë në Dash mund të jetë duke na mësuar dallimin mes iniciativës dhe impulsivitetit. Jo çdo njeri që lëviz i pari është lider. Ndonjëherë është thjesht personi i parë që vrapoi në drejtimin e gabuar.

    Kur Saturni të kthehet direkt, kjo histori fillon të marrë një ton tjetër. Gjërat që janë rishikuar gjatë retrogradës mund të fillojnë të kërkojnë implementim. Vendimet bëhen më të qarta. Kufijtë bëhen më konkretë. Njerëzit që kanë kaluar muaj duke pyetur “a dua vërtet ta bëj këtë?” mund të kalojnë te “mirë, si do ta bëj?” Dhe për shkak se Saturni sundon Nyjën e Veriut në Ujor, kthimi i tij direkt mund të ndihet sikur rruga përpara fillon të ketë më shumë strukturë. Jo domosdoshmërisht më shumë lehtësi, Saturni nuk është babagjyshi i Vitit të Ri, mos u emociononi kot, por më shumë qartësi mbi përgjegjësinë.

    Dhe pikërisht këtu fillon të kuptohet arsyeja pse Jupiteri në Luan dhe Saturni në Dash janë kaq të rëndësishëm së bashku. Të dy janë në shenja zjarri. Kemi shumë zjarr, shumë iniciativë, shumë krijimtari, shumë dëshirë për të bërë diçka të madhe. Por njëri po kalon nëpër territorin e së kaluarës dhe tjetri po rishikon mënyrën se si ndërtojmë të ardhmen. Pra mund të kemi një periudhë ku e kaluara furnizon karburantin e së ardhmes. Një talent i vjetër mund të bëhet baza e një projekti të ri. Një dështim i vjetër mund të japë informacionin që duhej për suksesin e ardhshëm. Një person nga e kaluara mund të rikthehet, por marrëdhënia të marrë një funksion krejt tjetër. Një ide që dështoi pesë apo dhjetë vjet më parë mund të ketë papritur teknologjinë, audiencën ose rrjetin që i mungonte atëherë.

    Prandaj unë nuk do ta shihja fare këtë periudhë si një ndarje të pastër mes “e kaluara keq, e ardhmja mirë”. Astrologjia e Nyjeve është më elegante se kaq. Nyja e Jugut na jep materialin, Nyja e Veriut na jep drejtimin. Problemi lind kur përpiqemi të jetojmë përgjithmonë brenda materialit të vjetër pa e çuar askund. Luani duhet të japë zemrën, krijimtarinë, guximin dhe individualitetin. Ujori duhet t'u japë këtyre gjërave kontekst, rrjet dhe qëllim kolektiv. Nëse e heqim Luanin plotësisht, Ujori bëhet i ftohtë, teorik dhe njerëzisht steril. Nëse refuzojmë Ujorin, Luani bëhet një mbret që performon para një salle gjithnjë e më bosh.

    Dhe këtu kthehemi te mpirja. Sepse ndoshta mpirja nuk është problemi i këtij tranziti. Ndoshta është sinjali. Kur diçka që dikur të emociononte jashtëzakonisht shumë nuk të emocionon më, reagimi ynë i parë është shpesh paniku. “Çfarë kam? Pse nuk e dua më? Pse nuk ndihem si dikur?” Por astrologjikisht, Nyja e Jugut mund të thotë: sepse e ke përfunduar një pjesë të kësaj historie. Nuk ke pse ta urresh. Nuk ke pse ta mohosh. Thjesht nuk mund të ushqehesh përgjithmonë nga e njëjta gjë. Ndonjëherë rritja nuk ndihet si ekstazë. Ndonjëherë ndihet si humbja e interesit për atë që dikur të kontrollonte.

    Kjo mund të jetë shumë e dukshme në marrëdhënie. Luani është romantik, dëshiron dashuri të madhe, të dukshme, dramatike, atë lloj dashurie ku njerëzit thonë “oh my God, ju të dy”. Me Nyjën e Jugut këtu dhe Jupiterin që e amplifikon territorin, histori të vjetra romantike mund të bëhen shumë të mëdha. Mund të rikthehen njerëz. Mund të rikthehen ndjenja. Mund të rikthehen situata që dikur nuk patën mundësi të zhvilloheshin. Por testi nuk do të jetë thjesht “a ka ende kimi?” Sigurisht që mund të ketë kimi. Testi është: a ekziston një e ardhme që përputhet me personin që je tani? Sepse një lidhje mund të jetë jashtëzakonisht e fuqishme si kujtim dhe absolutisht e padobishme si e ardhme. Këto janë dy gjëra krejt të ndryshme.

    Në krijimtari, ky tranzit mund të jetë fenomenal. Sepse Nyja e Jugut në Luan hap arkivin krijues dhe Jupiteri mund ta zmadhojë. Gjërat që kemi bërë për qejf, talentet që nuk i morëm seriozisht, projektet që menduam se ishin shumë personale ose shumë të çuditshme, mund të kenë një jetë të re. Por Nyja e Veriut në Ujor pyet si mund të shpërndahen ndryshe. Ndoshta projekti nuk ka nevojë vetëm për artistin; ka nevojë për komunitet. Ndoshta nuk ka nevojë për një superstar; ka nevojë për një platformë. Ndoshta nuk ka nevojë për një audiencë pasive; ka nevojë për njerëz që marrin pjesë. Ky është ndryshimi nga performanca te ekosistemi.

    Edhe koncepti i famës mund të kalojë nëpër një krizë interesante gjatë këtij aksi. South Node në Luan i thotë mirupafshim influencerave sepse do të ekspozojë lodhjen nga njerëzit që janë të famshëm vetëm sepse janë të famshëm. Jupiteri mund ta zmadhojë këtë fenomen deri në absurditet përpara se të shfaqet lodhja kolektive. Mund të shohim më shumë spektakël, më shumë ego, më shumë njerëz që kërkojnë skenën, pikërisht sepse një cikël po arrin pikën e tij të ngopjes. Kjo ndodh shpesh: një model bëhet jashtëzakonisht i madh përpara se njerëzit të lodhen prej tij. Dhe pastaj Ujori thotë: “Mirë, po ideja ku është? Ku është komuniteti? Ku është funksioni? Për çfarë shërben gjithë kjo vëmendje?”

    Kjo është arsyeja pse vitet e ardhshme mund të jenë interesante për mënyrën se si konceptojmë autoritetin. Luani ka mbretin. Ujori ka rrjetin. Luani ka figurën qendrore. Ujori ka sistemin. Luani ka heroin. Ujori ka ekipin. Dhe nuk do të thotë që liderët zhduken; do të thotë se mund të bëhemi shumë më skeptikë ndaj sistemeve që varen tërësisht nga një personalitet. Një lider i mirë në këtë cikël nuk është domosdoshmërisht ai që thotë “më ndiqni mua”. Mund të jetë ai që krijon një strukturë ku një mijë njerëz mund të funksionojnë pa pasur nevojë ta adhurojnë.

    Në nivel personal, pyetja më e rëndësishme e këtij aksi mund të jetë shumë e thjeshtë: Nëse askush nuk do të më duartrokiste, çfarë do të vazhdoja të bëja gjithsesi? Sepse aty mund të fshihet një pjesë e Nyjës së Veriut. Nëse do të vazhdoje të shkruaje pa likes, shkruaj. Nëse do të vazhdoje të krijoje pa famë, krijo. Nëse do ta doje dikë edhe pa spektaklin social të marrëdhënies, atëherë shiko çfarë ka realisht aty. Nëse do ta ndërtoje një projekt edhe sikur emri yt të mos ishte me shkronja gjigante sipër tij, atëherë ndoshta projekti ka një qëllim që shkon përtej egos.

    Dhe ndoshta kjo është gjëja më e bukur dhe njëkohësisht më e bezdisshme e gjithë këtij tranziti: universi nuk po na kërkon të bëhemi më pak specialë. Po na kërkon të ndalojmë së përdoruri “të qenit special” si destinacion. Talenti nuk është destinacion. Vëmendja nuk është destinacion. Fama nuk është destinacion. Edhe suksesi nuk është destinacion. Ato janë mjete. Dhe Nyja e Veriut në Ujor pyet se çfarë do të bëjmë me to pasi t'i kemi.

    Kështu që po, mund të ketë rikthime të mëdha. Mund të ketë situata të vjetra që papritur marrin frymë përsëri. Mund të ketë njerëz që dalin nga e kaluara, projekte që ringjallen, talente që rikthehen, dëshira që menduam se kishin vdekur dhe mundësi që kësaj here vijnë shumë më të mëdha. Jupiteri në Luan nuk ka turp. Por pikërisht për këtë arsye duhet të vëzhgojmë reagimin tonë kur këto gjëra vijnë. Nëse diçka e madhe kthehet dhe ne ndihemi çuditërisht neutralë, ndoshta kjo nuk është mosmirënjohje. Ndoshta është informacion.

    Dhe nëse diçka e vjetër kthehet dhe papritur ndihemi më të gjallë se kemi qenë prej vitesh? Edhe ky është informacion. Sepse Nyja e Jugut nuk thotë automatikisht “mos e prek”.

    Ajo thotë:

    “Ti e njeh këtë. Tani vendos çfarë do të bësh me të.”

    Ndërsa Nyja e Veriut në Ujor qëndron në anën tjetër dhe pyet:

    “A mund ta çosh diku ku nuk ke qenë më parë?”

    Ky është thelbi i gjithë kësaj periudhe. Jo të vrasim egon. Jo të heqim dorë nga individualiteti. Jo të mohojmë të kaluarën. Por të marrim atë që kemi mësuar nga Luani,  zemrën, guximin, talentin, dashurinë, krijimtarinë dhe aftësinë për të thënë “ky jam unë”, dhe ta vendosim në shërbim të një pyetjeje shumë më të madhe të Ujorit:

    “Mirë. Ti je ti. Tani çfarë mund të ndërtojmë bashkë?”

    Ndoshta kjo është arsyeja pse disa nga gjërat që rikthehen gjatë këtij cikli do të na duken pothuajse të destinuara, ndërsa të tjera do të na lënë krejtësisht të ftohtë. Nuk është domosdoshmërisht sepse njëra është “e mirë” dhe tjetra “e keqe”. Mund të jetë sepse njëra ka ende të ardhme brenda saj, ndërsa tjetra ka vetëm histori.

    Dhe këto, të dashur bashkëvuajtës, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. E kaluara mund të jetë e bukur. Mund të jetë madhështore. Me Jupiterin aty, mund të kthehet edhe më e madhe se herën e parë. Por pyetja e këtij aksi nuk është:

    “Sa e madhe është ajo që po kthehet?”

    Pyetja është: “Ku mund të më çojë tani?”

    Sepse nëse përgjigjja është askund, atëherë ndoshta Nyja e Jugut po të jep një dhuratë shumë të çuditshme: mundësinë për ta parë edhe një herë, për ta dashur edhe një herë, ndoshta edhe për ta shijuar edhe një herë, dhe pastaj për të mos pasur më nevojë për të.

    Por nëse ajo që rikthehet mund të transformohet, mund të ndërtohet ndryshe, mund të lidhet me njerëz të rinj, me një rrjet të ri, me një vizion të ri dhe me versionin e personit që je bërë tani?

    Atëherë, fuck it. Ndoshta e kaluara nuk është kthyer për të të marrë mbrapsht. Ndoshta është kthyer për të të dhënë materialin që të duhet për të ndërtuar të ardhmen.

     

    XX
    CRYZTAL

    Back to blog

    4 comments

    Lexoj cdo gje qe ti poston nga fillimi ne fund, je shume e qarte e sakte ne gjithcka, 🥰

    GriseldaAugust 23, 2026

    Nje spjegim i qarte dhe shume i strukturuar. Faleminderit

    KlodianaAugust 23, 2026

    Je e jashtezakomshme…

    Alketa August 23, 2026

    Je kaq perfekte ne cdo gje analize 🫶

    Esma myrtajAugust 23, 2026

    Leave a comment

    Invalid password
    Enter

    Language

    • English
    • Shqip
    Payment methods
    • American Express
    • Apple Pay
    • Diners Club
    • Discover
    • Google Pay
    • Mastercard
    • Visa
    © 2026, Cryztal Powered by Shopify
    • Choosing a selection results in a full page refresh.
    • Opens in a new window.
    English
    English
    USD
    • USD
    USD
    /
    English
    Language
    English
    Currency
    USD
    • USD
    USD
    /
    English
    Language
    English
    Currency
    USD
    • USD
    Cancel