Tetori Rozë Vishet Me Të Zeza
Muaji kur historia kthehet në vendin e krimit
Në fund të shtatorit shkrova se pyetja e muajit do të kalonte nga “Çfarë nuk po më thuhet?” te “Kush e ka pushtetin këtu?” dhe në fund te “Mirë. Tani që e di, çfarë do bëj?”. Gjithashtu shkrova se njerëz, projekte, reputacione, dashuri dhe madje skandale mund të riktheheshin, por se pyetja e vërtetë ishte nëse kishin ende jetë brenda tyre. Tetori është përgjigjja e asaj pyetjeje dhe, për disa histori, përgjigjja mund të jetë shumë më e komplikuar nga sa dukej më 30 shtator.
Sepse tetori nuk më duket si muaj i historive krejtësisht të reja. Sigurisht që do të ketë të reja, por struktura e muajit është jashtëzakonisht e mirë për rikthimin te dosja. Një marrëdhënie e vjetër. Një kontratë. Një çështje financiare. Një deklaratë. Një akuzë. Një figurë që po përpiqet të rikthehet. Një produkt që ishte lançuar. Një projekt që menduam se ishte vendosur. Një histori publike që dukej sikur kishte marrë formën përfundimtare në shtator. Tetori mund të thotë, no, darling, kemi edhe disa faqe për të lexuar. Dhe këtë herë nuk më intereson vetëm çfarë del e re. Më intereson çfarë ka qenë aty prej kohësh dhe papritur merr një kuptim krejt tjetër.
Parashikimi im i parë i madh është se disa prej skandaleve që shpërthyen ose morën formë në shtator nuk mbarojnë aty, "ha, çfarë na the". Pres histori ku informacioni fillestar kundërshtohet, korrigjohet ose plotësohet. Mund të dalin mesazhe të tjera, dokumente, kontrata, regjistrime, dëshmi, pagesa ose njerëz të tjerë që ndryshojnë mënyrën si publiku e kupton historinë. Por do të shikoja veçanërisht materialin e vjetër: fotografi, intervista, udhëtime, mesazhe, pagesa, postime të fshira ose deklarata që papritur krahasohen me atë që i njëjti person po thotë sot. Një histori që dukej e re mund të rezultojë se kishte muaj ose vite që zhvillohej.
Fillimi i tetorit është veçanërisht agresiv për këtë. Informacioni lidhet menjëherë me ego, reputacion, kontroll dhe njerëz që kanë diçka serioze për të humbur. Prandaj pres përplasje publike mes dy versioneve të së njëjtës histori, deklarata të nxituara, përgjigje të ashpra, akuza dhe kundërakuza, kërcënime ligjore dhe njerëz që flasin para se të kenë menduar mirë çfarë po thonë. Në biznes mund të jetë drejtues kundër ish-punonjësit, kompani kundër kompanisë, partner kundër partnerit. Në entertainment mund të jetë artist kundër menaxherit, ish-partnerit, label-it ose bashkëpunëtorit. Një nga gjërat që do të shikoja me shumë kujdes është kush publikon provën dhe kush publikon vetëm versionin.
Disa figura publike mund të futen në probleme jo prej historisë së parë, por prej reagimit ndaj saj. Dikush mund të mohojë një detaj kategorikisht dhe më vonë të detyrohet të ndryshojë formulimin. Dikush jep intervistën që supozohej ta mbyllte çështjen dhe hap pesë të tjera. Dikush fshin një postim. Dikush pretendon se është nxjerrë jashtë kontekstit dhe pastaj del konteksti. Një zyrtar publikon deklaratën, pastaj sqarimin e deklaratës dhe në fund avokatët zbulojnë se klientët e tyre kanë pasur Wi-Fi gjatë gjithë kësaj kohe. PR-i i keq mund të bëhet vetë lajm.
Por historia më e fortë e tetorit mund të jetë aty ku seksi, paraja dhe pushteti hyjnë në të njëjtën dhomë. Në shtator pamë se një histori marrëdhënieje mund të hapej dhe poshtë saj të dilnin njerëz të tretë, favore, para dhe jetë private shumë më të komplikuara se imazhi publik. Tetori nuk më duket sikur e mbyll këtë derë. Përkundrazi, pres histori ku pyetja nuk mbetet “kush flinte me kë?”, por bëhet: kush e dinte, kush e organizoi, kush pagoi, kush përfitoi dhe çfarë mori në këmbim?
Kjo mund të sjellë histori rreth marrëdhënieve transaksionale, prostitucionit ose shërbimeve seksuale, ndërmjetësve, njerëzve që prezantojnë njerëz me njëri-tjetrin, udhëtimeve, dhuratave dhe favoreve profesionale. Mund të dalë se dikush përdorte statusin, paranë ose aksesin profesional për të hyrë në marrëdhënie që nga jashtë dukeshin krejt ndryshe. Mund të kemi edhe figura me martesë, familje ose imazh publik shumë të kuruar, ndërsa del një jetë private që nuk përputhet fare me personazhin publik. Dhe këtu skandali, nëse ka një të tillë, nuk është orientimi seksual. Është mashtrimi, fshehja, paraja, konflikti i interesit, shfrytëzimi ose pushteti.
Do të mbaja sytë edhe te skandalet seksuale që menduam se kishin mbaruar. Persona që nuk folën herën e parë mund të flasin tani. Një emër i vjetër mund të rikthehet. Një histori e trajtuar si thashethem mund të marrë dokumentim, ndërsa një histori që publiku e konsideronte të qartë mund të komplikohet nga informacion tjetër. Mund të dalë se publiku kishte kronologjinë e gabuar, personin e gabuar ose vetëm një pjesë të rrjetit të marrëdhënieve që ekzistonte rreth historisë. Tetori nuk ka shumë respekt për versionin e parë.
Edhe ndarjet publike mund të bëhen shumë më interesante sesa “X dhe Y nuk janë më bashkë”. Mund të kemi ndarje ku pas lajmit romantik fillojnë pyetjet për shtëpinë, kompaninë, markën, kontratat, të drejtat, fitimet, stafin dhe audiencën. Ish-çifte mund të zbulojnë se emocionalisht janë ndarë, por financiarisht janë ende të martuar në shtatë mënyra të ndryshme. Një histori dashurie mund të shndërrohet në histori biznesi dhe një histori biznesi mund të zbulojë një marrëdhënie që askush nuk e dinte.
Dhe po, pres rikthime romantike. Ish-a që shihen përsëri bashkë, fotografi që ngrenë dyshime, pajtime, njerëz që provojnë përsëri ose marrëdhënie që publiku mendonte se kishin përfunduar dhe rezulton se dera nuk ishte mbyllur kurrë. Por tetori nuk më duket si festival i ish-ave që kuptojnë se kanë bërë gabimin e jetës. Në shumë raste rikthimi mund të shërbejë pikërisht për të provuar se problemi i vjetër është ende aty. Nëse çështja ishte besimi, kontrolli, xhelozia, paraja ose fakti që vetëm njëri po bënte gjithë fucking punën, një darkë romantike nuk e ka marrë papritur liçencën për terapi në çift.
Mund të shohim edhe trekëndësha romantikë ose kronologji që nuk përputhen. Dikush ndahet dhe pothuajse menjëherë shfaqet me dikë tjetër. Një çift rikthehet, por del se gjatë ndarjes kishte njerëz të tjerë. Një marrëdhënie prezantohet si e re dhe interneti zbulon se fotografitë, udhëtimet ose kontaktet fillojnë shumë më herët. Pyetja “kur filloi realisht kjo?” mund të bëhet jashtëzakonisht interesante gjatë tetorit. Dhe interneti, siç e dimë, është një laborator kriminalistik me njerëz që kanë shumë kohë të lirë.
Në kulturë dhe entertainment pres comeback plus controversy. Një artist rikthehet dhe bashkë me të rikthehet historia që mendonte se kishte lënë pas. Një reunion sjell përsëri konfliktin që e ndau grupin. Një remake, reboot ose projekt nostalgjik ndez debat për atë se kush duhej të ishte përfshirë, kush nuk u pagua, kush nuk mori kreditin ose kush e zotëron realisht materialin. Një dokumentar, autobiografi, intervistë ose projekt retrospektiv mund të përpiqet të ndryshojë mënyrën si publiku kujton një histori dhe pikërisht aty mund të dalë dikush tjetër që thotë: well, that's fucking interesting, sepse unë isha aty.
Do të shikoja veçanërisht konfliktet mes artistëve dhe njerëzve që kontrollojnë punën e tyre. Royalties, katalogë muzikorë, të drejta autori, kontrata të vjetra, pagesa, materiale të papublikuara dhe pyetja se kush zotëron çfarë mund të prodhojnë histori. Një artist mund të kërkojë kontroll mbi punën e vet. Një konflikt i vjetër me label-in mund të rihapet. Një bashkëpunëtor mund të pretendojë se nuk është kredituar ose paguar siç duhet. Dhe një projekt nostalgjik mund të zbulojë se nostalgjia është shumë romantike deri në momentin kur pesë njerëz nxjerrin kontratat dhe thonë “actually, kjo është e imja”.
Mund të kemi edhe feud-e shumë publike. Jo vetëm deklarata elegante nga PR-i, por postime, unfollow, video, intervista, këngë që interpretohen si diss, ish-bashkëpunëtorë që tregojnë versionin e tyre dhe njerëz që vendosin se mënyra më e mirë për të mbrojtur reputacionin është të ndezin gjithë internetin. Sekretet gjatë tetorit kanë një problem të veçantë: dikush mund të dëshirojë t'i tregojë me mikrofon.
Për artistët dhe figurat publike, muaji ka edhe një ton më të rëndë. Mund të ketë lajme rreth humbjes, krizave, shëndetit, largimeve të papritura nga skena ose përfundimeve që bëjnë publikun të rilexojë jetën e një figure kulturore. Nëse ndodh një humbje, do të prisja që lajmi të hapte edhe një bisedë më të gjerë rreth jetës së personit, marrëdhënieve, industrisë ose gjërave që publiku nuk i kishte ditur. Por nuk do të bëj lojën morbide të parashikimit se kush vdes ose si. Harta mund të na japë simbolikën e një periudhe të rëndë pa na dhënë certifikatën e vdekjes paraprakisht.
Në politikë, historia nuk fillon në tetor. Tashmë e dimë.
Protestat që kërkojnë largimin e qeverisë vazhdojnë, kështu që pyetja e tetorit nuk është nëse do të ketë pakënaqësi. Pyetja është çfarë forme merr presioni tani. Dhe këtu pres një muaj shumë më të fokusuar te dokumenti, akuza, kundërakuza, hetimi, përgjegjësia dhe lufta për versionin e ngjarjeve. Mund të rikthehen çështje të vjetra që opozita, protestuesit, media ose institucione të ndryshme i vendosin përsëri në qendër. Mund të dalë material i ri që lidhet me një histori të vjetër. Mund të kemi një dokument, dëshmi, hetim ose zhvillim institucional që bëhet pikë rreth së cilës organizohet një fazë tjetër e debatit publik.
Do të shikoja veçanërisht përpjekjen për të ndryshuar narrativën e protestës. Njëra palë mund të përpiqet ta paraqesë atë si humbje force, pala tjetër si zgjerim të pakënaqësisë. Mund të ketë debat rreth numrave, incidenteve, përgjegjësisë dhe mënyrës si raportohen ngjarjet. Një incident mund të bëhet shumë më i madh pikërisht sepse ekzistojnë dy versione të asaj që ndodhi. Videoja, kronologjia, dëshmitarët dhe ajo që ndodhi para ose pas një momenti të caktuar mund të bëhen po aq të rëndësishme sa vetë momenti.
Fillimi i muajit më duket më i ndjeshëm për përplasje autoriteti dhe reagime të forta, ndërsa mesi mund të sjellë më shumë përpjekje për organizim, strategji, negociim ose konsolidim. Fundi pastaj mund të rikthejë një çështje që mendohej se ishte konsumuar. Mund të ketë kërkesa të përsëritura, akuza të rikthyera, një zhvillim hetimor ose një person që vendos të flasë. Nuk po them se qeveria bie apo se protesta dështon. Ajo që po parashikoj është se tetori ka shumë më tepër gjasa ta thellojë luftën për përgjegjësi dhe informacion sesa ta mbyllë konfliktin.
Në politikën më gjerë, do të shikoja edhe aleanca që duken të bashkuara publikisht, por kanë negociata shumë më të vështira privatisht. Mund të ketë ndryshim pozicionesh, njerëz që distancohen nga njëri-tjetri, mbështetje që vjen me kushte ose figura që përpiqen të pozicionohen për fazën tjetër të një konflikti. Marrëveshjet e bëra vetëm për të ruajtur pamjen mund ta kenë më të vështirë të mbajnë peshën e tyre.
Në biznes pres një fenomen të ngjashëm: kontrata të rihapura, oferta të riformuluara, ndryshim çmimesh, kushte të reja, anulime, shtyrje dhe projekte që nuk mund të vazhdojnë sipas planit fillestar. Një marrëveshje që u bllokua në shtator mund të rikthehet në tetor, por jo domosdoshmërisht në të njëjtën formë. Mund të jetë pikërisht versioni i korrigjuar ai që funksionon. Disa njerëz mund ta kenë quajtur vonesën fat të keq dhe më pas të kuptojnë se pa të do të kishin firmosur një marrëveshje shumë më të keqe.
Mesi i muajit është dukshëm më konstruktiv. Aty pres projekte që marrin miratim, plane që kalojnë nga ideja te zbatimi, marrëveshje që më në fund bëhen të realizueshme dhe njerëz ose kompani që kombinojnë ambicien me strukturën. Kjo është pjesa ku do të shikoja njoftime që kanë diçka konkrete pas tyre, jo vetëm trailer, teaser, countdown dhe shtatë fotografi misterioze në Instagram. Buxheti. Afati. Kontrata. Plani. Puna e mërzitshme që askush nuk e poston dhe pa të cilën gjithë pjesa sexy e projektit është vetëm PowerPoint.
Në tregti, modë, bukuri dhe luks do të shikoja çmimin kundrejt vlerës. Produkte të vjetra mund të rikthehen. Marka mund të hapin arkivat, të ringjallin modele të vjetra ose ta kthejnë nostalgjinë në shitje. Por njëkohësisht mund të kemi produkte shumë të reklamuara që përballen me kthime, ankesa, ulje çmimesh ose reagim negativ pasi konsumatori i provon realisht. Një trend mund të humbasë shkëlqimin shumë shpejt. Një produkt viral mund të zbulohet se ishte shumë më i mirë në TikTok sesa në shtëpi. Tetori nuk pyet vetëm “sa kushton?”. Pyet: “Tani që e bleve, a ia vlente?”
Teknologjia vazhdon të më interesojë shumë, por jo për lançime. Pres versionin e dytë. Përditësim pas reagimit. Funksion që modifikohet ose tërhiqet. Produkt që korrigjohet. Strategji që ndryshon pasi përdoruesit realë bëjnë atë gjënë e bezdisshme që kompanitë harrojnë gjithmonë: e përdorin produktin ndryshe nga prezantimi.
Do të mbaja sytë edhe te privatësia dhe të dhënat. Kush kishte akses? Çfarë ishte ruajtur? Çfarë mendohej se ishte fshirë? Nëse del screenshot-i, mund të dalë pjesa tjetër e bisedës. Nëse del email-i, mund të dalë zinxhiri i plotë. Nëse del filmimi, mund të dalin fotografitë nga pushimet. Nëse del një fragment, dikush tjetër mund të nxjerrë kontekstin. Dhe konteksti, darling, është krijesë interesante. Ndonjëherë shpëton reputacionin. Ndonjëherë e merr për dore dhe e çon direkt në varreza.
Nga pjesa e dytë e tetorit, marrëdhëniet dhe paratë fillojnë të bëhen më të errëta. Këtu pres histori për kontroll, akses, varësi, favore, pronësi dhe marrëdhënie ku interesi personal dhe ai material nuk ndahen dot më pastër. Mund të dalë se dikush përdorte një marrëdhënie për akses profesional. Mund të diskutohet kush përfitoi financiarisht nga një lidhje. Mund të dalin akuza se një person kontrollonte paranë, karrierën ose kontratat e tjetrit. Në raste të tjera historia mund të jetë shumë më e zakonshme, por po aq domethënëse: një çift ku gjithçka funksiononte për sa kohë askush nuk pyeste kush po paguante faturën.
Nga 20 tetori fillon pjesa e muajit ku do të mbaja seriozisht shënime. Marrëdhënia, paraja dhe pushteti fillojnë të bëhen shumë të vështira për t'u ndarë nga njëra-tjetra. Mund të kemi ndarje publike, ekspozime të rënda, dalje nga partneritete, ndryshime pronësie, grindje financiare ose situata ku një aleancë që dukej e fortë zbulon se mbahej nga interesi. Mund të kemi edhe një person që kishte heshtur dhe vendos të flasë sepse nuk ka më të njëjtën arsye financiare, profesionale ose emocionale për të mbrojtur dikë.
26 Tetori është një nga pikat që më bën më kurioze për gjithë muajin. Aty do të shikoja histori rreth pronësisë, pasurisë, sigurisë, kontrollit dhe vlerës reale të diçkaje. Mund të kemi një rezultat financiar që ndryshon perceptimin e një kompanie ose projekti, ndarje ku pasuria bëhet pjesë qendrore e lajmit, konflikt mes një figure dhe një organizate shumë më të fuqishme, përplasje mes partnerëve ose aksionarëve, shitje ose humbje kontrolli mbi një aset dhe histori rreth të drejtave që kanë qenë duke u ndërtuar prej kohësh. Nuk duhet domosdoshmërisht të jetë humbje. Mund të zbulohet edhe se diçka vlen shumë më tepër nga sa ishte menduar. Por pyetja është e njëjtë: kush e zotëron dhe sa vlen realisht?
Kjo periudhë mund të jetë veçanërisht e fortë për figura publike që e kanë identitetin të lidhur me një partneritet. “Gjysma e çiftit”, “fytyra e kompanisë”, “anëtari i grupit”, “partneri i biznesit”. Një ndarje mund të na tregojë sa pushtet kishte realisht secila pjesë. Kush e merr audiencën? Kush mban markën? Kush zotëron materialin? Kush ka kontratën? Dhe kush zbulon papritur se kishte emrin në poster, por jo dorën në kasafortë?
Pastaj arrijmë te fundi i tetorit, ku ndodh ajo që për forecasting më pëlqen më shumë: konflikti i informacionit me të cilin filloi muaji kthehet përsëri. Vetëm se këtë herë historia ka pasur pothuajse një muaj për të mbledhur prova, inate, avokatë dhe njerëz që kanë vendosur se nuk kanë më asgjë për të humbur.
Prandaj dua të bëj një parashikim shumë specifik: disa histori që bëjnë lajm në ditët e para të tetorit mund të rikthehen në ditët e fundit me deklaratën e dytë, dokumentin e dytë, raundin e dytë të negociatave, përgjigjen e vonuar, personin tjetër që vendos të flasë ose provën që mungonte. Një person që reagoi emocionalisht në fillim mund të rikthehet me avokat. Një kompani që heshti mund të nxjerrë kronologjinë e saj. Një ish mund të flasë. Një artist mund t'i përgjigjet publikisht një artisti tjetër. Një negociatë mund të rifillojë. Një akuzë mund të korrigjohet. Ose mund të dalë prova që e bën mohimin fillestar shumë më problematik.
Në fund të tetorit mund të zbulojmë se kronologjia që na është dhënë për një histori të madhe nuk ishte kronologjia e plotë.
Një marrëdhënie mund të ketë filluar më herët. Një ndarje mund të ketë ndodhur muaj përpara njoftimit. Dikush mund ta ketë ditur diçka shumë më herët nga sa pretendonte. Një pagesë mund të lidhë njerëz që publikisht nuk dukej se kishin lidhje. Një “incident” mund të rezultojë model. Një “rikthim spontan” mund të ketë qenë planifikuar prej kohësh. Dhe informacioni i fundmuajit mund të na detyrojë të rilexojmë jo vetëm tetorin, por edhe disa nga historitë që plasën në shtator.
Shtatori ishte muaji kur gjërat filluan të tregonin fytyrën e vërtetë. Tetori është më pak i interesuar te fytyra. Tetori do kuponin tatimor.
Kush pagoi? Kush përfitoi? Kush kishte kontroll? Kush e dinte? Kush tha çfarë? Kush ndryshoi versionin? Kush zotëron çfarë? Kur filloi realisht? Çfarë vlente dhe çfarë thjesht ishte shitur mirë? Dhe kur historia të vijë përsëri para nesh, a do t'i japim të njëjtën përgjigje?
E kaluara në Tetor nuk më duket sikur kthehet vetëm për nostalgji. Disa gjëra kthehen për t'u rinegociuar, disa për t'u ekspozuar, disa për t'u korrigjuar dhe disa vetëm që më në fund t'u mbyllet fucking dera.
xx
Cryztal