Skip to content

CRYZTAL DOMINION

  • FAQJA KRYESORE
  • LEXIME
  • RITUALE
  • TAROT
  • BLOG
    • Astrology
    • Divination
    • Magick
Log in
    • FAQJA KRYESORE
    • LEXIME
    • RITUALE
    • TAROT
    • BLOG
      • Astrology
      • Divination
      • Magick
    Cryztal
    Log in Cart

    Item added to your cart

    Access Denied
    IMPORTANT! If you’re a store owner, please make sure you have Customer accounts enabled in your Store Admin, as you have customer based locks set up with EasyLockdown app. Enable Customer Accounts
    Eklipsi i Pjesshëm Hënor në Peshq

    Eklipsi i Pjesshëm Hënor në Peshq

    25 gusht 2026
    Share

    Çfarë kemi mbajtur fshehur nuk mund të vazhdojë të jetojë në qilar

     

    Ka eklipse që duken sikur hapin një derë të re. Ky, jo dhe aq. Ky Eklips i pjesshëm Hënor në Peshq duket shumë më tepër si momenti kur hap një derë që ka qenë e mbyllur prej kohësh dhe papritur kupton pse askush nuk donte ta hapte. Ka pluhur, ka histori të vjetra, ka gjëra të lëna përgjysëm, ka emocione që janë shtyrë në një cep dhe ka disa situata që kemi mbajtur gjallë vetëm sepse nuk kemi dashur të merremi me përfundimin e tyre. Hëna është në Peshq, në shtëpinë e 6-të të hartës së eklipsit për Tiranën, përballë Diellit dhe Merkurit në Virgjëreshë në të 12-ën, ndërsa boshti i Nyjeve kalon po në të njëjtin territor 6–12. Vetëm kjo mjafton për të kuptuar se ky nuk është një eklips që interesohet shumë për atë që njerëzit thonë se po ndodh. Ky kërkon të dijë se çfarë po ndodh pas perdeve, çfarë është lodhur, çfarë është fshehur, çfarë është neglizhuar dhe çfarë sistemi po vazhdon të funksionojë vetëm sepse askush nuk ka pasur kurajën të pranojë se nuk funksionon më.

    Boshti Virgjëreshë-Peshq gjithmonë ka një problem interesant: njëra anë dëshiron rend, kontroll, logjikë, prova dhe një mënyrë të qartë për ta rregulluar situatën, ndërsa ana tjetër thotë se disa gjëra nuk mund të futen në Excel. Kështu që ky eklips mund të na vendosë pikërisht në konfliktin mes asaj që mund të kontrollojmë dhe asaj që duhet ta pranojmë. Virgjëresha pyet: “Çfarë duhet të bëjmë?” Peshqit pyesin: “Po sikur të mos ketë më asgjë për të bërë?” Dhe njerëzit e urrejnë këtë pyetje, sepse ne preferojmë të kemi një detyrë sesa të pranojmë një fund. Ndonjëherë vazhdojmë të analizojmë, të riparojmë, të shpjegojmë dhe të përmirësojmë diçka jo sepse ajo mund të shpëtohet, por sepse ideja e pranimit na duket shumë më e frikshme. Ky eklips mund të na tregojë pikërisht se ku kemi ngatërruar përpjekjen me kontrollin.

    Hëna në Peshq është shumë pranë Nyjës së Veriut, ndërsa Dielli në Virgjëreshë qëndron në territorin e Nyjës së Jugut në Luan dhe në shtëpinë e 12-të. Kjo i jep gjithë eklipsit një atmosferë të fortë të një historie që po mbyllet pas skenës ndërsa një tjetër po kërkon të lindë përmes realitetit të përditshëm. Dhe këtu ka një ironi të bukur. Ne zakonisht mendojmë se “e ardhmja” do të duket e madhe, dramatike dhe frymëzuese. Por North Node në të 6-ën nuk po thotë “bëhu legjendë”. Po thotë: ndrysho mënyrën si punon. Ndrysho sistemin. Ndrysho rutinën. Ndrysho mënyrën si kujdesesh për trupin, kohën, punën dhe përgjegjësitë e tua. Ndërkohë South Node në të 12-ën mund të zbrazë gjithë ato histori që janë mbajtur gjallë vetëm nga fantazia, nostalgjia, egoja e vjetër, arratisja ose nevoja për të shpëtuar diçka që tashmë ka mbaruar në nivel të brendshëm.

    Kjo është arsyeja pse emocionalisht ky eklips mund të ndihet shumë më i lodhshëm sesa dramatik. Jo çdo eklips vjen me një derë që përplaset. Disa vijnë me një “nuk mundem më”. Dhe pikërisht kjo fjali mund të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme këtu. Mund të ketë njerëz që papritur kuptojnë se nuk mund të vazhdojnë një rutinë, një punë, një marrëdhënie, një zakon, një rol kujdestari ose një mënyrë jetese që i ka konsumuar. Mund të ketë një lloj lodhjeje që nuk zgjidhet me pushim. Sepse problemi nuk është që të duhet një fundjavë e lirë. Problemi është se ke ndërtuar një jetë që kërkon nga ti të jesh i lodhur gjithë kohën.

    Dhe po, shtëpia e 6-të dhe e 12-të e bëjnë këtë eklips shumë të rëndësishëm për temat e punës, institucioneve, shërbimeve, spitaleve, burgjeve, strukturave të mbyllura, punës së padukshme, njerëzve që kujdesen për të tjerët, sistemit shëndetësor, punëtorëve dhe gjithçkaje që shoqëria përdor çdo ditë, por rrallë e sheh. Në nivel kolektiv, kjo mund të jetë periudhë ku dalin histori rreth institucioneve që kanë probleme strukturore, mungesës së stafit, kushteve të punës, shërbimeve publike ose institucioneve ku njerëzit kanë qenë të izoluar, të kontrolluar apo të harruar. Mund të ketë hetime, raportime ose skandale ku kuptojmë se një sistem ka funksionuar keq prej kohësh, por problemi është mbajtur larg vëmendjes publike. Dhe kjo është shumë 12th house: jo domosdoshmërisht diçka që sapo ka filluar, por diçka që ka qenë aty dhe tani nuk fshihet dot më.

    Për Tiranën, Urani është pothuajse mbi Midheaven-in në Binjakë dhe ky për mua është një nga sinjalet më të forta të gjithë hartës. Sepse kur Urani ulet në majë të një harte mundane, imazhi publik, autoriteti, institucionet dhe drejtimi kolektiv mund të marrin kthesa të papritura. Nuk do të thotë automatikisht rrëzim qeverie, revolucion apo atë lloj bullshit-i që astroloqet e hedhin në internet për të marrë views. Por mund të tregojë zhvillime të papritura në figurat publike, institucione, media, teknologji, drejtim politik, komunikim ose reputacion. Mund të dalë një lajm që ndryshon diskutimin brenda disa orësh. Mund të kemi dorëheqje të papritur, deklarata që askush nuk i priste, prishje marrëveshjesh, probleme teknologjike ose komunikimi, ndryshime në media apo institucione dhe figura që papritur gjenden në një rol tjetër nga ai që kishin një javë më parë.

    Ajo që e bën Uranin edhe më të rëndësishëm është se ai bën katror me Hënën, Diellin dhe Merkurin. Pra eklipsi vetë është nën tension nga faktori i surprizës. Kjo më thotë se ajo që kulmon rreth kësaj periudhe mund të mos zhvillohet sipas skenarit që të gjithë presin. Një situatë që duket e qartë mund të ndryshojë shumë shpejt. Një deklaratë mund të pasohet nga një tjetër që e përmbys. Një person që mendon se ka kontroll mund ta humbasë kontrollin e narrativës. Një institucion mund të detyrohet të reagojë ndaj një zhvillimi që nuk e kishte planifikuar. Mund të ketë probleme me sisteme digjitale, media, transport, komunikim ose teknologji, sepse Binjakët dhe Urani kanë shumë të bëjnë me shpejtësinë e informacionit. Dhe kur informacioni ecën më shpejt se institucioni, autoriteti duket gjithmonë pak si gjyshi që po kërkon syzet ndërkohë që TikTok-u e ka zgjidhur historinë prej tre orësh.

    Kjo është edhe arsyeja pse ky eklips mund të ketë një element të fortë skandali publik. Dielli dhe Merkuri janë bashkë në të 12-ën, përballë Hënës dhe Nyjës së Veriut, dhe të dy tensionohen nga Urani në majë të hartës. Kjo është një gjuhë astrologjike shumë e përshtatshme për informacione që dalin nga prapaskena, dokumente, komunikime private, njerëz që thonë më shumë sesa duhet, ose një histori që dikush është përpjekur ta mbajë të mbyllur dhe pastaj papritur del në publik. Mund të jetë politike. Mund të jetë institucionale. Mund të jetë entertainment. Mund të jetë një figurë publike. Mund të jetë një kompani. Por tema është e ngjashme: ajo që ishte menduar të mbetej private fillon të ketë jetë publike.

    Nëse do të shihja potencial për “scandal season”, ky eklips patjetër do të ishte një prej atyre momenteve ku do të mbaja sytë hapur. Jo sepse çdo gjë e fshehur del, por sepse konfigurimi ka shumë nga elementët klasikë të ekspozimit: shtëpia e 12-të, Mercury, Uranus në MC, Pluto në të 5-ën, Venus në të 2-ën dhe tensione me Saturnin. Mund të kemi skandale rreth parave, marrëdhënieve, seksit, entertainment, njerëzve të famshëm, institucioneve, punës së fshehtë ose manipulimit të imazhit. Dikush mund të ketë menduar se kishte kontrolluar narrativën dhe pastaj të zbulojë se një screenshot është, në fakt, më i fortë se një ekip PR me shtatë njerëz.

    Venusi në Peshore në shtëpinë e 2-të është shumë interesant sepse normalisht do të dukej si një vendosje mjaft e mirë për para, vlerë dhe negociata. Por Venusi është përballë Saturnit në të 8-ën dhe merr tensione të tjera nga harta. Kjo mund ta bëjë paranë një temë shumë më serioze gjatë eklipsit. Çështjet e çmimeve, buxheteve, borxheve, financimeve, taksave, kredive, sigurimeve, pasurisë së përbashkët ose përgjegjësive financiare mund të bëhen shumë më të dukshme. Mund të ketë ndjesinë se ajo që kemi në dorë nuk mjafton për detyrimet që duhet të mbulojmë. Në ekonomi, mund të shohim diskutime rreth shpenzimeve, kostos së jetesës, borxheve apo vendimeve ku duhet zgjedhur çfarë financohet dhe çfarë jo.

    Venusi përballë Saturnit është edhe një nga aspektet që mund të ftohë marrëdhëniet ose të detyrojë njerëzit të shohin se sa reale janë. Në nivel personal, ky eklips nuk më duket shumë tolerant ndaj marrëdhënieve që jetojnë vetëm nga imagjinata. Peshqit mund të duan të besojnë, por Saturni pyet çfarë ekziston në praktikë. Dikush mund të kuptojë se ka dhënë shumë më tepër sesa ka marrë. Dikush tjetër mund të kuptojë se një marrëdhënie që dukej shumë romantike është bërë ekonomikisht, emocionalisht ose praktikisht e rëndë. Mund të ketë largime, distancim, ftohje, por edhe vendime serioze për t'i dhënë formë diçkaje që deri tani ka qenë e paqartë. Saturni nuk është gjithmonë ndarje. Ndonjëherë është momenti kur një marrëdhënie ndalon së qeni fantazi dhe bëhet përgjegjësi. Dhe ky është një upgrade që tingëllon shumë më pak seksi, por shpesh vlen shumë më tepër.

    Marsi në Gaforre në të 11-ën, ndërkohë, është në katror me Saturnin dhe në harmoni me Hënën. Këtu kemi tension brenda grupeve, komuniteteve, shoqërive, organizatave, partive, rrjeteve dhe aleancave. Mund të ketë konflikte brenda grupit për atë se kush vendos, kush mbron kë, kush mban barrën dhe kush po bën vetëm fotografi. Në politikë kemi përçarje brenda aleancave, përplasje brenda partive ose grupeve që duken të bashkuara nga jashtë, por kanë tension të madh brenda, "përshëndetje Kryeministër". Marsi në Gaforre është shumë mbrojtës dhe emocional, kështu që konfliktet nuk janë domosdoshmërisht vetëm ideologjike. Mund të jenë personale, familjare, territoriale ose të ushqyera nga ndjenja se dikush “na ka tradhtuar”.

    Në protesta ose lëvizje kolektive, ky Mars mund të mobilizojë njerëzit kur ndiejnë se duhet të mbrojnë diçka që e konsiderojnë të tyren. Mund të jetë shtëpia, toka, vendi, familja, puna, komuniteti ose identiteti. Por katrori me Saturnin tregon se autoriteti mund të përpiqet ta frenojë, strukturojë ose kufizojë këtë reagim. Kështu që po, mund të kemi tensione mes grupeve dhe institucioneve, mes protestuesve dhe autoriteteve, ose thjesht një klimë ku njerëzit ndihen se dikush po vendos kufij aty ku ata nuk duan t'i pranojnë. Megjithatë, do të isha shumë e kujdesshme me idenë e parashikimit të dhunës specifike apo aksidenteve. Harta ka tension, por astrologjia nuk të jep targën e makinës që do përplaset. Ajo tregon klimën e presionit dhe llojet e situatave ku impulsiviteti mund të bëhet problem, ndaj kujdes. - Jokes aside, targën mund të mos na e thotë, por ngjyrën e makinës dhe tiparet e drejtuesit po. Ndaj emigrantë, bixhozxhinj, barktul dhe biznesmenë kini kujdes me makinë.

    Saturni dhe Neptuni janë të dy retrogradë në Dash në shtëpinë e 8-të, dhe kjo është një nga pjesët më të rënda të hartës. Shtëpia e 8-të lidhet me burimet e përbashkëta, borxhet, taksat, financat e përbashkëta, humbjen, krizën, pasuritë e të tjerëve dhe gjithçka që na detyron të pranojmë se jo çdo gjë është nën kontrollin tonë. Saturni këtu kërkon llogari. Neptuni e bën llogarinë të paqartë. Dhe kur të dy janë retrogradë, mund të kemi histori të vjetra financiare ose institucionale që rikthehen për rishikim. Mund të dalin borxhe, skema, premtime, fonde ose përgjegjësi që janë shtyrë. Mund të ketë debate rreth mënyrës si menaxhohen burimet e përbashkëta. Mund të ketë një nevojë për auditim, hetim ose reformim të sistemeve që deri tani kanë funksionuar me shumë “trust me bro” dhe jo mjaftueshëm dokumentacion.

    Neptuni në të 8-ën është gjithashtu një sinjal interesant për mashtrime financiare, histori me para që nuk janë aty ku duhet të jenë, ose konfuzion rreth pronësisë. Nuk po them se eklipsi garanton një skemë mashtrimi, por klima është shumë e mirë për momentet kur njerëzit fillojnë të pyesin: ku shkuan paratë? Kush kishte akses? Kush firmosi? Pse shifrat nuk përputhen? Dhe nëse kjo përkon me Merkurin në të 12-ën dhe Uranin në MC, atëherë mund të kemi situata ku pikërisht informacioni i fshehur bëhet çelësi për të kuptuar krizën financiare ose institucionale.

    Jupiteri në Luan në të 12-ën e bën gjithë këtë edhe më interesant, sepse ai është në harmoni me Saturnin. Jupiteri në të 12-ën shpesh mund të tregojë gjëra të mëdha që po zhvillohen larg syrit publik. Mund të ketë negociata, plane, projekte ose marrëveshje që ende nuk janë gati për t'u zbuluar. Mund të kemi gjithashtu figura të vjetra, persona nga e kaluara, institucione ose struktura që përpiqen të bëjnë comeback nga prapaskena, "ik andej Sale". Dhe me South Node në Luan po aty, mund të kemi një lloj rikthimi të njerëzve ose narrativave që mendonim se kishin përfunduar. Por Jupiteri në të 12-ën ka edhe atë ironinë e vet: disa gjëra mund të bëhen shumë të mëdha para se publiku t'i shohë. Kur dalin, njerëzit thonë: “Wait, sa kohë ka qenë duke ndodhur kjo?” Përgjigjja mund të jetë: shumë më gjatë sesa mendonit.

    Kjo është edhe një nga arsyet pse nuk do çuditesha nëse rreth këtij eklipsi do të kishim një rikthim të fortë të një figure publike, një emri të vjetër, një historie të vjetër ose një çështjeje që publiku mendonte se ishte mbyllur. Jupiteri në Luan, South Node në Luan dhe shtëpia e 12-të janë shumë të lidhura me “gjërat që menduam se kishin dalë nga skena, por jo tamam”. Mund të jetë comeback artistik. Mund të jetë person politik. Mund të jetë një skandal i vjetër që merr kapitull të ri. Mund të jetë një çështje ligjore. Mund të jetë një projekt që ishte mbyllur. E kaluara ka një mënyrë shumë interesante për të trokitur përsëri kur Jupiteri fillon ta ushqejë.

    Plutoni retrogradë në Ujor në shtëpinë e 5-të është një tjetër histori e madhe. Shtëpia e 5-të lidhet me argëtimin, fëmijët, sportin, krijimtarinë, spekulimin, kulturën pop dhe figurat që performojnë për publikun. Plutoni këtu mund të transformojë mënyrën se si kolektivi konsumon argëtimin dhe si ndërtohen figurat publike. Në kontekstin e këtij eklipsi, mund të kemi histori të mëdha rreth entertainment-it, sportit, industrisë kreative, të rinjve ose një figure publike që kalon një krizë të thellë reputacioni. Mund të ketë gjithashtu skandale ku një person i famshëm rezulton të ketë pasur shumë më tepër pushtet prapa skenës sesa publiku e kuptonte.

    Plutoni në të 5-ën është gjithashtu shumë i mirë për atë lloj entertainment story që fillon si gossip dhe pastaj kupton se ka pasoja shumë më të mëdha. Mund të nisë me një marrëdhënie, një artist, një kompani produksioni, një event apo një figurë sportive dhe pastaj të dalë në çështje kontrolli, parash, kontratash ose abuzimi pushteti. Duke qenë se Plutoni është në aspekt të fortë me Uranin në majë të hartës, një histori që fillon në kulturën pop mund të transformohet shpejt në çështje shumë më të madhe publike. Interneti mund të luajë rol gjigant në mënyrën si zhvillohet narrativa. Dhe po, kjo është një nga ato periudha ku dikush mund të bëhet viral për arsyet më të këqija të mundshme.

    Por Plutoni në të 5-ën mund të sjellë edhe krijimtari shumë të fuqishme. Mund të ketë një film, këngë, performancë, artist ose projekt që prek publikun në mënyrë shumë më të thellë se zakonisht. Jo çdo gjë intensive është skandal. Disa herë është art që kap një nerv kolektiv. Dhe me Uranin në Binjakë në MC, mund të jetë diçka që përdor teknologji të re, format të ri, mënyrë të re komunikimi ose një ide që publiku nuk e ka parë më parë. Mund të kemi një moment kulturor që duket i vogël në ditën e parë dhe pastaj kuptojmë se po ndryshon diçka në mënyrën si prodhohet ose konsumohet entertainment-i.

    Kironi në Dem në të 9-ën, retrogradë dhe në harmoni me Diellin e Merkurin, më duket si sinjal se shumë nga të vërtetat që dalin mund të na detyrojnë të ndryshojmë bindje. Shtëpia e 9-të lidhet me ligjin, universitetet, arsimin e lartë, fenë, ideologjinë, udhëtimet e largëta dhe mënyrën si ndërtojmë botëkuptimin. Mund të kemi çështje ligjore që rikthehen, debate mbi arsimin, universitetet, besimet ose figura që pretendojnë autoritet moral. Mund të dalë diçka që na detyron të themi: “Në rregull, ndoshta ajo që besoja nuk ishte e gjithë historia.” Dhe njerëzit nuk e duan këtë. Ne preferojmë të zbulojmë që kemi pasur të drejtë. Eklipset kanë një sens humori shumë të keq në këtë drejtim.

    Për Shqipërinë specifikisht, fakti që Dielli dhe Merkuri janë pranë Ascendentit ndërsa Hëna është pranë Descendentit e bën aksin “ne dhe të tjerët” shumë të dukshëm. Mund të ketë çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me shtete të tjera, marrëveshje, partnerë, kundërshtarë, institucione ndërkombëtare ose mënyrën si vendi prezantohet kundrejt asaj që të tjerët kërkojnë prej tij. Ascendenti në Virgjëreshë mund të krijojë nevojë për të treguar se gjithçka është nën kontroll, se institucionet funksionojnë, se ka rend, se ka plan. Hëna në Peshq në Descendent mund të tregojë se pala tjetër ose publiku nuk është aq i bindur. Kjo mund të krijojë situata ku imazhi zyrtar dhe perceptimi publik nuk përputhen.

    Dhe kjo është edhe arsyeja pse mund të kemi komedi të mirë publike. Sepse Virgjëresha në Ascendent dëshiron të duket kompetente, ndërsa Urani mbi MC nuk ka asnjë respekt për prezantimin perfekt. Mund të kemi konferenca shtypi që shkojnë keq, lapsuse, mikrofonë të hapur, dokumente të gabuara, deklarata kontradiktore, probleme teknike ose një situatë ku dikush përpiqet të japë imazhin e kontrollit dhe teknologjia vendos: “Fuck your media strategy.” Dhe po, mund të jetë qesharake, por shpesh momentet më qesharake publike janë pikërisht ato ku sistemi tregon për një sekondë se sa i brishtë është.

    Ky eklips më duket shumë i fortë edhe për botën e punës. North Node dhe Hëna në shtëpinë e 6-të mund të sjellin diskutime rreth punëtorëve, kushteve të punës, burnout-it, automatizimit, orareve, produktivitetit dhe pyetjes se çfarë presim realisht nga njerëzit. Mund të ketë greva, ankesa, ndryshime kontratash, probleme stafi ose sektorë ku bëhet e qartë se sistemi është mbajtur gjallë nga njerëz që kanë punuar shumë më tepër sesa paguhen. Me Uranin në Binjakë, teknologjia mund të hyjë fort në këtë debat. Mund të kemi automatizim, AI, sisteme të reja, platforma të reja ose një debat të madh mbi atë se çfarë pune do bëjë njeriu dhe çfarë do bëjë makina. Dhe kjo nuk është një pyetje filozofike e bukur. Për shumë njerëz është pyetje page.

    Në nivel personal, ky eklips mund të na tregojë ku kemi qenë duke shpëtuar të tjerët ndërkohë që po fundoseshim vetë. Peshqit kanë një marrëdhënie shumë të çuditshme me sakrificën. Ndonjëherë japin sepse kanë dhembshuri. Ndonjëherë japin sepse nuk dinë të vendosin kufi. Dhe ky eklips mund të na detyrojë ta dallojmë ndryshimin. Nëse një marrëdhënie, punë, familje ose situatë mbështetet tek fakti që ti gjithmonë do sakrifikosh veten që të mos prishet ekuilibri, atëherë ndoshta ekuilibri nuk ka qenë kurrë real. Ka qenë thjesht ti duke mbajtur gjithë fucking ndërtesën me shpinë.

    Në dashuri, kjo mund të jetë periudhë shumë emocionale. Hëna në Peshq mund të sjellë mall, idealizim, rikthime dhe ndjenja që mendonim se i kishim sistemuar. Por opozita me Diellin dhe Merkurin në Virgjëreshë na kërkon të shohim faktet. Mund të rikthehet dikush dhe zemra të bëjë gjithë atë filmin e vet, por pyetja është: çfarë ka ndryshuar praktikisht? A ka vetëm ndjenja, apo ka kapacitet për një marrëdhënie? A ka vetëm histori, apo ka të ardhme? Dhe Venus–Saturni mund të na bëjë shumë më pak tolerantë me marrëdhëniet ku gjithçka varet nga premtimi dhe asgjë nga veprimi.

    Në punë, mund të jetë moment ku kuptojmë se një rol ose ambient është bërë i paqëndrueshëm. Disa njerëz mund të largohen. Disa mund të marrin një përgjegjësi të re. Disa mund të zbulojnë probleme që kanë qenë fshehur. Disa mund të duhet të mësojnë një sistem të ri, sidomos për shkak të Uranit në 10 dhe Binjakëve. Nëse një punë është shumë e lidhur me komunikimin, median, teknologjinë, edukimin, transportin ose informacionin, mund të ketë ndryshime të papritura. Dhe ndonjëherë ndryshimi nuk vjen si promovim i bukur. Vjen si “nga e hëna e bëjmë ndryshe”. Lovely.

    Në aspektin ekonomik, ky eklips mund të jetë moment ku narrativat optimiste testohen nga realiteti i financave. Jupiteri në Luan mund të krijojë shumë besim, por Saturni në të 8-ën dhe Venusi përballë tij kërkojnë të shohim detyrimet. Mund të ketë diskutime rreth buxheteve, borxheve, investimeve ose financimeve. Mund të ketë kompani ose individë që kuptojnë se janë zgjeruar më shumë sesa mund të mbajnë. Nuk më duket kohë e mirë për të marrë risk vetëm sepse një gjë duket glamorous. Ky qiell ka shumë mundësi për një aset, projekt ose kompani që duket fantastike në presentation deck dhe pastaj dikush pyet: “Okay, po fitimi ku është?” Silence.

    Në çështje gjyqësore ose burgimi, harta ka shumë simbolikë të shtëpisë së 12-të dhe të 8-të. Mund të kemi raste të vjetra që rikthehen, persona që përballen me pasoja, hetime që futen më thellë, institucione të mbyllura që dalin në lajme ose figura që përballen me kufizim të lirisë apo autoritetit. Mund të kemi edhe histori ku dikush që mendonte se një çështje ishte mbyllur zbulon se jo, ligji kishte lënë një bookmark. Jupiteri në të 12-ën mund të zmadhojë historinë; Saturni në të 8-ën mund të kërkojë llogari; Urani në MC mund ta bëjë publike shumë shpejt.

    Për aksidentet ose ndërprerjet e papritura, katrori i Uranit me Diellin, Hënën dhe Merkurin është sinjal që kërkon kujdes me shpejtësinë, transportin, teknologjinë, komunikimin dhe vendimet impulsive. Por nuk dua të bëj si profeci makabre, sepse kjo është mënyra më e lehtë për ta kthyer astrologjinë në një fucking bingo tragjedish, edhe pse e preferuara ime, kemi një fytyrë "profesionale" themi. Ajo që mund të them është se klima është më nervoze, më e papritur dhe më e prirur ndaj ndryshimeve të menjëhershme. Sistemet që janë tashmë të dobëta mund të tregojnë problemet e tyre. Teknologjia që ka qenë duke funksionuar “sa për të thënë” mund të vendosë të ndalojë. Njerëzit që janë nën presion mund të reagojnë më shpejt se zakonisht.

    Por mes gjithë kësaj nuk dua ta humbasim një fakt: eklipsi ka gjithashtu potencial të jashtëzakonshëm për çlirim. Jo sepse është “pozitiv”, por sepse disa situata mund të na lodhin aq shumë sa më në fund ndalojmë së negociuari me to. Ndonjëherë duhet të shkojë diçka deri në ekstrem që ne të pranojmë se nuk mund të vazhdojë. Një punë. Një marrëdhënie. Një zakon. Një institucion. Një narrativë. Një mënyrë e të jetuarit. Ky eklips nuk më duket si energji që të ndihmon të bësh patch-up të pafund. Më duket si energji që pyet: a do ta rregullosh realisht, apo do ta lësh të mbarojë?

    Dhe këtu është ndoshta pjesa më e rëndësishme e gjithë eklipsit: Peshqit nuk duan gjithmonë përgjigje. Ndonjëherë duan dorëzim. Virgjëresha do të analizojë çdo detaj, por Peshqit thonë se ka një pikë ku analiza bëhet vetëm një mënyrë elegante për të mos pranuar realitetin. Mund të kemi njerëz që gjatë kësaj periudhe kuptojnë se përgjigjja që kanë kërkuar prej muajsh nuk ekziston në formën që donin. Dhe kjo mund të jetë e dhimbshme, por gjithashtu çliruese. Sepse kur ndalon së kërkuari shpjegim perfekt, mund të fillosh të vendosësh çfarë do bësh me atë që di.

    Pra çfarë parashikoj konkretisht rreth këtij eklipsi? Parashikoj një periudhë ku dalin në pah probleme të vjetra të sistemeve, institucioneve dhe vendeve të punës. Parashikoj histori rreth shëndetit publik, punës, shërbimeve ose njerëzve që kanë mbajtur struktura të tëra në shpinë. Parashikoj lajme të papritura rreth figurave publike, institucioneve, teknologjisë dhe medias. Parashikoj të paktën disa skandale ku informacion që mendohej privat bëhet publik ose ku një histori e vjetër merr kapitull të ri. Parashikoj presion mbi financat, borxhet dhe burimet e përbashkëta. Parashikoj tension në marrëdhënie dhe partneritete ku njëra palë ka dhënë shumë më tepër se tjetra. Parashikoj konflikt brenda grupeve ose aleancave. Parashikoj comeback-e, por edhe rikthime që na bëjnë të kuptojmë pse një gjë duhej të kishte mbetur në të kaluarën. Po tingëllon pak si shkrimi për shtatorin apo jo?

    Në entertainment, mund të kemi një periudhë shumë të fortë me rikthime, skandale, figura që bëhen virale dhe projekte që kombinojnë nostalgjinë me "teknologjinë" e re. Në politikë, mund të ketë surpriza në figura drejtuese, deklarata, imazh publik, negociata ose një problem institucional që bëhet shumë më i dukshëm. Në ekonomi, mund të ketë tension mes dëshirës për zgjerim dhe realitetit të borxheve apo kostove. Në marrëdhënie, idealizimi do përplaset me realitetin. Në punë, burnout-i dhe sistemet e dobëta mund të bëhen shumë më të vështira për t'u injoruar.

    Dhe mbi të gjitha, parashikoj se shumë njerëz do ta ndiejnë këtë eklips si një lloj “lëvizje mjaft”. Jo domosdoshmërisht një shpërthim. Ndonjëherë thjesht një qetësi shumë e çuditshme ku kupton se nuk ke më energji të luftosh për të njëjtën gjë. Dhe njerëzit shpesh e interpretojnë këtë si humbje. Unë nuk jam aq e sigurt. Ndonjëherë lodhja është mënyra se si sistemi nervor të thotë atë që mendja ka refuzuar të dëgjojë.

    Nëse diçka mbaron rreth këtij eklipsi, mos nxito ta quash dështim. Nëse një e vërtetë del, mos nxito ta romantizosh vetëm sepse është e dhimbshme. Nëse dikush rikthehet, mos supozo se rikthimi është destinacion. Nëse një mundësi shembet, shiko çfarë ishte fshehur poshtë saj. Nëse një institucion, marrëdhënie ose sistem fillon të tregojë çarje, mos u habit. Eklipset nuk shpikin gjithmonë problemin. Shpesh thjesht ndezin dritën.

    Dhe ky është pikërisht lloji i eklipsit që ndez dritën në një dhomë ku kemi qenë shumë rehat duke qëndruar në errësirë. Disa gjëra do të duken të shëmtuara sapo të ndizet. Disa do të na bëjnë të kuptojmë pse kemi qenë të lodhur. Disa do të na bëjnë të qeshim me absurditetin e faktit që menduam se askush nuk do ta merrte vesh. Disa do të çlirojnë njerëz që kanë mbajtur barrë për shumë kohë. Dhe disa do të detyrojnë institucione, liderë, kompani, marrëdhënie dhe vetë ne të bëjmë pyetjen më të pakëndshme të mundshme:

    Nëse kjo nuk mund të vazhdojë më siç ka qenë, atëherë çfarë duhet të ndryshojë?

    Sepse ky Eklips Hënor në Peshq nuk më duket sikur vjen të na japë një përgjigje të bukur, por vjen të na heqë disa justifikime. Dhe, boy, isn't that necessary.

    Por ka edhe një shtresë tjetër të këtij eklipsi që është shumë e rëndësishme dhe që nuk duhet humbur mes gjithë historive për institucione, sekrete dhe ndryshime publike: ky eklips godet fort shenjat e ndryshueshme. Hëna është rreth 4° Peshq, Dielli rreth 4° Virgjëreshë dhe Urani rreth 5° Binjakë. Pra kemi tre pika shumë të fuqishme në tre nga katër shenjat e ndryshueshme. Peshqit, Virgjëresha dhe Binjakët janë direkt në lojë, ndërsa Shigjetari bëhet pika e katërt e këtij konfigurimi, vendi ku tensioni mund të kërkojë dalje. Kjo do të thotë se njerëzit me Diell, Hënë, Ascendent, MC ose planetë të rëndësishëm afërsisht në gradët e para të Peshqve, Virgjëreshës, Binjakëve dhe Shigjetarit mund ta ndiejnë këtë eklips shumë më personalisht se të tjerët. 

    Peshqit mund ta ndiejnë si një kulm emocional, një ndryshim në marrëdhënie, trup, rutinë ose mënyrën si u përgjigjen nevojave të të tjerëve. Mund të ketë një ndjesi shumë të fortë se një version i vjetër i tyre nuk mund të vazhdojë më. Virgjëresha mund ta ndiejë në anën tjetër të pasqyrës: realiteti i detyron të pranojnë diçka që nuk mund të zgjidhet vetëm duke analizuar edhe pesëdhjetë herë situatën. Binjakët mund të përjetojnë kthesa të papritura në punë, status, drejtim, informacion, kontrata ose vendime që deri dje dukeshin të sigurta. Ndërsa Shigjetari mund të ndihet sikur disa themele të jetës po kërkojnë riorientim; mund të ketë tension mes asaj ku kanë qenë, asaj që besojnë dhe drejtimit ku po shkon jeta.

    Në fakt, Shigjetari është shumë interesant këtu, sepse është shenja e vetme mutable që nuk ka planet kryesor të eklipsit brenda saj, por IC-ja e hartës së Tiranës bie në Shigjetar dhe përballet drejtpërdrejt me Uranin në kulmin e hartës. Kjo krijon një histori shumë të fortë mes bazës dhe drejtimit publik. Në një lexim kolektiv, kjo mund të simbolizojë konfliktin mes “si kemi bërë gjithmonë gjërat” dhe realitetit të ri që nuk po pyet nëse jemi gati. Mund të shfaqen debate rreth identitetit kombëtar, arsimit, historisë, emigrimit, ideologjisë ose marrëdhënies mes traditës dhe modernizimit. Dhe kjo është shumë më e madhe sesa një tranzit për “ndryshim pune”. Është pyetja se çfarë ndodh kur themelet kulturore nuk ecin me të njëjtën shpejtësi si teknologjia dhe realiteti publik.

    Një tjetër element shumë i rëndësishëm janë gradët 29° dhe 0°. Nyja e Veriut është në 29° Ujor, Nyja e Jugut në 29° Luan dhe Kironi sapo ka hyrë në 0° Dem. Kur kemi kaq shumë pika në fundin absolut të një shenje dhe në fillimin absolut të tjetrës, kemi simbolikën e një pragu. Diçka është në sekondat e fundit të një kapitulli, ndërsa diçka tjetër sapo ka lindur dhe ende nuk di çfarë dreqin po bën. Kjo mund ta bëjë periudhën rreth eklipsit të ndihet jashtëzakonisht tranzicionale. Njerëzit mund të dinë shumë qartë se ku nuk duan më të jenë, por të mos kenë ende një ide perfekte se ku po shkojnë. Dhe kjo nuk është domosdoshmërisht problem. Ka periudha ku qartësia e parë nuk është “ja plani im i ri”; është thjesht “kjo nuk funksionon më”.

    Kjo mund të jetë veçanërisht e dukshme për njerëzit me planetë rreth 28-29° të shenjave fikse, Dem, Luan, Akrep, Ujor dhe 0-1° të shenjave që ndjekin këto pragje. Për ta, tema e mbylljes dhe riorientimit mund të jetë më e fortë. Mund të mbyllet një cikël shoqëror, një rol, një marrëdhënie, një ide për veten ose një ambicie që ka qenë aktive prej një kohe të gjatë. Por ajo që vjen pas mund të mos duket ende dramatike. Shpesh fillimet e vërteta janë shumë më të qeta se fundet.

    Duhet bërë edhe një dallim shumë i rëndësishëm: shenjat dhe aspektet planetare të eklipsit janë globale; shtëpitë që po përdorim janë specifike për vendin tonë. Pra fakti që eklipsi bie në boshtin e 6-të dhe 12-të është veçanërisht relevant për mënyrën se si kjo energji mund të manifestohet në Shqipëri dhe në hartën e ngritur për Tiranën. Në një shtet tjetër, eklipsi mund të bjerë në shtëpi krejt të tjera dhe të zhvendosë manifestimin konkret. Kjo nuk e ndryshon natyrën bazë të eklipsit, Peshq/Virgjëreshë, tensionin me Uranin, Nyjet, Venus-Saturn, Mars-Saturn, por ndryshon ku kjo histori del më fort në jetën publike.

    Për Shqipërinë, pikërisht kjo është arsyeja pse temat e punës, administratës, institucioneve të mbyllura, shërbimeve, strukturave të kujdesit dhe çështjeve që kanë funksionuar larg vëmendjes publike bëhen më interesante. Ndërsa Urani mbi MC sugjeron se mënyra si vendi shihet publikisht, si komunikojnë autoritetet ose si zhvillohet një situatë politike mund të ndryshojë shumë shpejt. Pra në vend që të presim domosdoshmërisht “një ngjarje gjigante”, mund të kemi një seri zhvillimesh që brenda pak ditësh ndryshojnë tonin publik. Në fillim njerëzit flasin për një çështje; tre ditë më vonë janë duke folur për diçka krejt tjetër sepse ka dalë informacion i ri.

    Ka edhe një histori shumë interesante rreth perceptimit të realitetit kolektiv. Peshqit kanë lidhje me imazhin, fantazinë, idealizimin dhe ndjeshmërinë ndaj atmosferës, ndërsa Virgjëresha kërkon faktet. Urani nga Binjakët e çan këtë bosht përmes informacionit të papritur. Prandaj ky eklips mund të jetë një moment ku shumë njerëz kuptojnë se një histori që kishin pranuar si fakt ishte në të vërtetë vetëm versioni më i përsëritur. Dhe kjo mund të ndodhë në politikë, kulturë, media, ekonomi, marrëdhënie apo edhe në mënyrën si njerëzit e kuptojnë veten. Nuk duhet të ketë patjetër një “gënjeshtër të madhe”. Mund të jetë më subtile: një narrativë humbet fuqinë e saj sepse informacioni i ri nuk përshtatet më brenda saj.

    Për mediat dhe internetin, kjo mund të krijojë një periudhë ku publiku bëhet shumë më skeptik ndaj asaj që i serviret. Ironikisht, kjo mund të krijojë edhe më shumë konfuzion, sepse kur njerëzit nuk u besojnë më burimeve tradicionale, fillojnë të besojnë çdo idiot me mikrofon dhe ring light. Kështu që mund të kemi një betejë shumë interesante mes informacionit zyrtar, burimeve alternative, leaks, social media dhe interpretimit publik. Dhe kjo është një histori që Urani në Binjakë vetëm sa ka filluar ta zhvillojë për vitet e ardhshme.

    Eklipsi ka edhe një komponent shumë të fortë të lodhjes nga mbingarkesa e informacionit. Nuk është vetëm çfarë dimë; është fakti që dimë shumë gjëra njëkohësisht dhe nuk dimë cilat kanë rëndësi. Kjo mund të krijojë një lloj paralize kolektive. Njerëzit mund të ndihen sikur çdo ditë ka krizë të re, skandal të ri, alarm të ri, informacion të ri. Dhe në një moment truri thotë: “Fuck it, nuk mund t’i përpunoj të gjitha.” Kjo është një nga hijet e këtij eklipsi që nuk duhet nënvlerësuar. Nëse gjithçka trajtohet si emergjencë, njerëzit fillojnë të mos reagojnë më as ndaj emergjencave reale.

    Kjo mund të jetë arsyeja pse disa prej ngjarjeve më të rëndësishme rreth eklipsit nuk do të jenë domosdoshmërisht ato që marrin më shumë tituj. Një lajm shumë dramatik mund të dominojë internetin për dy ditë dhe të zhduket. Ndërkohë një ndryshim teknik, një vendim institucional, një reformë, një teknologji ose një zhvillim në punë dhe administratë mund të duket i mërzitshëm në moment dhe më vonë të kuptojmë se ka pasur ndikim shumë më të madh. Kjo është shumë Virgjëreshë–Peshq: ndryshimi real shpesh ndodh poshtë nivelit ku publiku po shikon.

    Për njerëzit që kanë shumë element të ndryshueshëm në hartë, kjo periudhë mund të jetë gjithashtu një test i fleksibilitetit. Shenjat mutable janë të mira për t’u përshtatur, por problemi është se ndonjëherë përshtaten aq shumë sa harrojnë se mund edhe të zgjedhin. Mund të tolerojnë një situatë, pastaj një tjetër, pastaj një tjetër, duke i thënë vetes “do shohim”. Ky eklips mund të arrijë në atë pikë ku “do shohim” nuk mjafton më. Përshtatja duhet të kthehet në vendim.

    Peshqit dhe Virgjëresha në veçanti mund të duhet të ndryshojnë marrëdhënien me rolin e “personit që rregullon gjithçka”. Peshqit e bëjnë duke shpëtuar emocionalisht. Virgjëresha duke rregulluar praktikisht. Të dyja mund të përfundojnë duke mbajtur shumë më tepër sesa u takon. Ky eklips mund të tregojë se ku përgjegjësia është kthyer në identitet. Nëse gjithmonë je personi që shpëton, organizon, rregullon, qetëson dhe mbledh copat pas të tjerëve, çfarë ndodh kur ndalon? Shumë njerëz do zbulojnë diçka interesante: disa marrëdhënie dhe sisteme funksionojnë vetëm sepse një person është duke bërë punën e katër njerëzve.

    Për Binjakët, çështja është më shumë rreth drejtimit dhe informacionit. Me Uranin kaq të fortë, mund të ndihen të shtyrë drejt një rruge që nuk e kishin planifikuar. Një ndryshim pune, rol i ri, lajm, zhvendosje profesionale, teknologji e re ose mënyrë e re komunikimi mund t’i detyrojë të reagojnë shpejt. Por, ironikisht, gjëja më e mirë që mund të bëjnë nuk është të përpiqen të kontrollojnë çdo variabël. Duhet të dallojnë se cili informacion është realisht relevant dhe cili është thjesht zhurmë.

    Për Shigjetarin, eklipsi mund të jetë shumë më ekzistencial. Çfarë beson? Ku po shkon? Cilën histori për jetën tënde po vazhdon ta tregosh vetëm sepse e ke treguar për vite? Shigjetari nuk e ka problem të ecë përpara, por mund ta ketë problem të pranojë se destinacioni i vjetër nuk e frymëzon më. Ky eklips mund të ndryshojë një plan afatgjatë, mënyrën si dikush e sheh shtëpinë, vendin ku jeton, studimin, emigrimin, familjen ose idenë se ku “duhet” të arrijë.

    Shenjat fikse gjithashtu nuk janë jashtë kësaj historie, sidomos sepse Nyjet ndodhen në fund të Ujorit dhe Luanit, Kironi në fillim të Demit dhe Plutoni në Ujor. Ujori dhe Luani mund të ndiejnë një kapitull të gjatë identiteti, marrëdhënies me grupin, famës, vetëshprehjes dhe vendit në kolektiv duke u mbyllur. Demi dhe Akrepi mund ta ndiejnë përmes vlerës, sigurisë, kontrollit dhe mënyrës si lidhen me burimet ose me njerëzit e tjerë. Për këta, ky eklips mund të mos jetë domosdoshmërisht ngjarja kryesore, por mund të jetë trigger që aktivizon një proces shumë më të gjatë.

    Shenjat kardinale Dashi, Gaforrja, Peshorja dhe Bricjapi, preken më shumë përmes Saturnit, Neptunit, Marsit dhe Venusit sesa nga vetë aksi i eklipsit. Për to, pyetja mund të jetë më pak “çfarë po mbaron?” dhe më shumë “çfarë përgjegjësie po bëhet e pamundur për ta shmangur?”. Dashi mund të përballet me realitetin e kufijve dhe pasojave. Gaforrja me konfliktin mes mbrojtjes dhe lodhjes. Peshorja me vlerën dhe reciprocitetin në marrëdhënie. Bricjapi me faktin se jo çdo problem zgjidhet duke punuar më shumë. Edhe universi ndonjëherë të thotë ta mbyllësh laptopin, for fuck’s sake.

    Dhe për shenjat e ujit në përgjithësi Peshqit, Gaforrja, Akrepi, ky eklips mund të nxjerrë shumë material emocional që nuk ka nevojë domosdoshmërisht të “zgjidhet” menjëherë. Mund të ketë ëndrra më intensive, mall, kujtime, ndjeshmëri dhe një nevojë për të kuptuar çfarë po përfundon emocionalisht. Por kjo nuk është licencë për të romantizuar çdo ndjenjë. Ndonjëherë ndjenjat janë informacion; nuk janë urdhra.

    Për shenjat e tokës, Virgjëresha, Demi, Bricjapi, sfida është të pranojnë se sistemi praktik mund të ketë nevojë për ndryshim shumë më të madh sesa një rregullim të vogël. Për shenjat e ajrit, Binjakët, Peshorja, Ujori, ndryshimi vjen përmes informacionit, rrjeteve dhe njerëzve. Ndërsa për shenjat e zjarrit, Dashi, Luani, Shigjetari, ky eklips mund të jetë pak irritues sepse nuk jep gjithmonë një drejtim të qartë për veprim. Dhe shenjat e zjarrit urrejnë të presin. Por ndonjëherë të mos bësh menjëherë diçka është pikërisht ajo që të pengon të bësh një budallallëk monumental.

    Në nivel shumë më të gjerë, ky eklips mund të shënojë edhe një ndryshim në mënyrën si kolektivi e kupton efikasitetin. Për vite kemi romantizuar produktivitetin, optimizimin, hustle-in, idenë se çdo sekondë duhet të përdoret. Por boshti Virgjëreshë–Peshq mund të na detyrojë të pyesim nëse efikasiteti pa kuptim ka ndonjë vlerë. Mund të bëjmë gjithçka më shpejt dhe prapë të mos dimë pse po e bëjmë. Mund të automatizojmë çdo proces dhe prapë të jemi të rraskapitur. Mund të kemi më shumë informacion se çdo brez para nesh dhe të ndihemi më të humbur. Ky eklips mund të jetë pjesë e një debati më të madh rreth asaj se çfarë do të thotë realisht një sistem “që funksionon”.

    Dhe kjo më çon te ajo që ndoshta është shtesa më e rëndësishme për temën: ky eklips nuk është vetëm për të zbuluar çfarë është gabim. Është për të ndryshuar kriterin me të cilin vendosim se çfarë funksionon. Ndoshta një sistem është fitimprurës, por shkatërron njerëzit që punojnë brenda tij. Ndoshta një marrëdhënie vazhdon, por vetëm sepse njëri person hesht. Ndoshta një institucion ekziston, por nuk bën më punën për të cilën u krijua. Ndoshta një mënyrë jetese duket “successful” nga jashtë dhe është emocionalisht bosh nga brenda.

    Dhe kur një eklips në Peshq na detyron ta shohim këtë, problemi nuk është më vetëm se diçka ka nevojë për riparim. Problemi është se mund të kuptojmë se kemi qenë duke përdorur matësin e gabuar.

    Kjo është arsyeja pse për disa njerëz ky eklips mund të duket si fund, ndërsa në fakt është një korrigjim i madh drejtimi. Për disa mund të duket si humbje kontrolli, ndërsa në fakt është fundi i nevojës për të kontrolluar diçka që nuk ishte më e kontrollueshme. Për disa mund të duket sikur po humbin një rol, një marrëdhënie ose një plan. Dhe vetëm më vonë mund të kuptojnë se ajo që humbën ishte pikërisht struktura që nuk i linte të shkonin askund tjetër.

    Kështu që, Peshqit, Virgjëresha, Binjakët dhe Shigjetari janë shenjat që do t’i mbaja sytë për manifestimet direkte të eklipsit, veçanërisht nëse kanë vendosje në gradët e para. Ujori, Luani, Demi dhe Akrepi vazhdojnë të jenë në një tranzicion më të gjatë për shkak të Nyjeve, Kironit dhe Plutonit. Ndërsa Dashi, Gaforrja, Peshorja dhe Bricjapi marrin presionin përmes historisë së përgjegjësisë, kufijve dhe marrëdhënieve.

    Por teknikisht, askush nuk është jashtë këtij eklipsi, sepse pyetja që ai ngre është shumë universale:

    Sa gjatë mund të vazhdosh të përshtatesh me një realitet që duhet të ndryshojë?

    Dhe ndoshta përgjigjja e këtij eklipsi është shumë më e thjeshtë sesa duam:
    Jo edhe aq gjatë sa mendon.

     

    xx
    cryztal

    Back to blog

    1 comment

    Analize e thelle dhe e qarte. Si gjithmone…

    Klodiana26 gusht 2026

    Leave a comment

    Invalid password
    Enter

    Language

    • English
    • Shqip
    Payment methods
    • American Express
    • Apple Pay
    • Diners Club
    • Discover
    • Google Pay
    • Mastercard
    • Visa
    © 2026, Cryztal Powered by Shopify
    • Choosing a selection results in a full page refresh.
    • Opens in a new window.
    shqip
    shqip
    USD
    • USD
    USD
    /
    shqip
    Language
    shqip
    Currency
    USD
    • USD
    USD
    /
    shqip
    Language
    shqip
    Currency
    USD
    • USD
    Cancel