Po Vjen Era Shtator
Muaji kur gjithçka fillon të tregojë fytyrën e vërtetë
Shtatori 2026 nuk më duket si një muaj që vjen për të na qetësuar. Ai nuk ka atë energjinë e ëmbël të një fillimi të ri ku të gjithë bëjmë lista, ndezim qirinj, blejmë një bllok të ri shënimesh dhe bindim veten se këtë herë do të kemi disiplinë. Jo. Shtatori vjen me një ndjesi shumë më të çuditshme: sikur disa gjëra që kanë qëndruar pezull prej muajsh tani fillojnë të tregojnë se ku po shkojnë realisht. Disa situata do të konsolidohen, disa do të thyhen, disa do të rikthehen nga e kaluara dhe disa do të na detyrojnë të pranojmë se ajo që mendonim se ishte thjesht “një fazë” në fakt ishte një sinjal shumë më i madh. Muaji hapet me Jupiterin në Luan, Saturnin retrogradë në Dash, Plutonin retrogradë në Ujor, Neptunin retrogradë në Dash dhe Kironin retrogradë, kështu që kemi një përzierje shumë interesante mes dëshirës për zgjerim dhe një qielli që vazhdon të thotë: “Po, mund të ecësh përpara, por fillimisht shiko çfarë dreqin ke lënë pa zgjidhur mbrapa.”
Që më 1 shtator kemi një nga tonet më të rëndësishme të gjithë muajit, sepse Jupiteri dhe Saturni krijojnë një aspekt të fortë harmonik, ndërkohë që Marsi përplaset me Saturnin. Kjo është pothuajse perfekte si simbolikë për shtatorin: një pjesë e jetës dhe kolektivit po përpiqet të zgjerohet, të ndërtojë, të bëhet më e madhe, më e dukshme dhe më serioze, ndërsa një pjesë tjetër po has rezistencë. Kjo mund të ndihet shumë qartë në ekonomi, politikë, kompani, projekte të mëdha, por edhe në jetën e njerëzve të zakonshëm. Mund të ketë plane që duken të mira në letër, por pastaj përballen me mungesë fondesh, me ligje, me burokraci, me një autoritet që thotë “jo kaq shpejt”, ose thjesht me faktin që mënyra e vjetër e veprimit nuk funksionon më. Shtatori nuk thotë se rritja është e pamundur. Përkundrazi. Thotë se rritja tani duhet të ketë strukturë. Dhe ky është një ndryshim i madh, sepse Jupiteri në Luan do shumë, do madhështoren, do dukshmërinë, ndërsa Saturni kërkon që dikush të dijë edhe si do mbahet gjithë ajo madhështi në këmbë.
Në nivel kolektiv, fillimi i muajit mund të sjellë tension rreth autoritetit, kufizimeve, institucioneve dhe vendimeve që prekin sigurinë, familjen, territorin, strehimin apo burimet. Mund të shohim njerëz që përplasen me sistemin, qeveri që vendosin kufij të rinj, protesta, nervozizëm rreth çështjeve të sigurisë, ose figura që duhet të përgjigjen për veprime të mëparshme. Mund të ketë histori rreth arrestimeve, dënimeve, kufizimeve, padive ose njerëzve që deri tani kanë bërë sikur rregullat ishin vetëm për të tjerët dhe papritur zbulojnë se jo, darling, ligji paska një adresë edhe për ty. Nuk do të thotë se çdo figurë publike do të përfundojë në burg, sigurisht dhe fatkeqësisht, por simbolika e “veprimit që takohet me pasojën” është shumë e fortë në fillim të shtatorit. Dhe për një muaj që do të ketë jo pak skandale potenciale, kjo është një hyrje shumë domethënëse.
Ditët e para kanë edhe një atmosferë të paqëndrueshme rreth informacionit. Nga 3 deri më 5 shtator ka lëvizje të forta që prekin Uranin në Binjakë, Merkurin dhe Jupiterin, dhe kjo më bën të mendoj se lajmet mund të fillojnë të lëvizin shpejt. Mund të dalë një informacion që fillimisht duket i vogël dhe pastaj bëhet i rëndësishëm. Mund të kemi surpriza në teknologji, media, internet, komunikim, transport, kompani që merren me të dhëna, platforma ose mënyra të reja komunikimi. Kjo është një periudhë ku një njoftim, një leak, një screenshot, një email, një video, një gafë publike ose një deklaratë e thënë me shumë vetëbesim dhe pak tru mund të marrë jetë shumë më të madhe sesa personi që e bëri e kishte menduar. Nëse shtatori ka një talent, ai është të marrë diçka që dikush mendonte se do kalonte pa u vënë re dhe ta vendosë nën projektor.
Rreth 6 deri më 9 shtator atmosfera bëhet më teatrale. Jupiteri në Luan është tashmë një nga motorët e muajit, dhe Hëna kalon mbi të, ndërsa pastaj aktivizon edhe boshtin e Nyjeve. Kjo është një periudhë që mund të sjellë shumë zhurmë rreth njerëzve të famshëm, industrisë së argëtimit, sportit, performancave, awards, eventeve të mëdha, figurave që duan të rikthehen në qendër të vëmendjes, ose njerëzve që papritur bëhen viralë. Mund të ketë edhe një lloj komedie kolektive këtu, sepse Jupiteri në Luan ka shumë madhështi, por nuk ka gjithmonë shumë sens mase. Mund të shohim një event që synon të jetë solemn dhe del absurd, një person që kërkon të duket i fuqishëm dhe kthehet në meme, një celebrity që përpiqet të kontrollojë imazhin dhe vetëm e bën skandalin më të madh, ose një comeback që është aq i ekzagjeruar sa publiku nuk di nëse duhet ta duartrokasë apo të qeshë. Dhe ndonjëherë, për të qenë të drejtë, të dyja njëkohësisht.
Më 10 shtator ndryshon atmosfera. Venusi hyn në Akrep dhe pothuajse menjëherë përballet me Kironin, ndërsa Merkuri kalon në Peshore. Ky është momenti kur muaji pushon së qeni thjesht i zhurmshëm dhe fillon të bëhet më i thellë. Venusi në Akrep nuk është shumë i interesuar për buzëqeshjet diplomatike. Ai kërkon të dijë çfarë fshihet poshtë marrëdhënieve, poshtë financave, poshtë dëshirës, poshtë seksit, poshtë kontrollit, poshtë xhelozisë dhe poshtë çdo “jam mirë” që qartësisht nuk është mirë. Në marrëdhënie, kjo mund të sjellë rikthime, përballje, tërheqje shumë të forta, por edhe tema të vjetra rreth besimit, intimitetit dhe sigurisë. Në financa, mund të dalin çështje rreth borxheve, pronësisë, parave të përbashkëta, trashëgimive, marrëveshjeve të fshehta ose pyetjes së përhershme: kush po paguan për çfarë dhe pse askush nuk e ka thënë hapur.
Në botën publike, ky ndryshim i Venusit është një nga arsyet pse mesi i shtatorit më duket shumë i fortë për skandale. Nuk dua ta bëj astrologjinë si portalet që thotë “më 15 do zbulohet patjetër një tradhti”, sepse ajo do ishte bullshit. Por simbolikisht, kemi një klimë shumë të mirë për histori që përfshijnë marrëdhënie të fshehta, para të fshehta, favorizime, abuzim pushteti, seksualitet, xhelozi, marrëveshje që nuk duhej të bëheshin publike, ose figura që kanë kontrolluar narrativën për shumë kohë dhe tani nuk munden më. Duke qenë se Jupiteri është në Luan, çdo histori që prek një celebrity, një lider, një artist, një familje të fuqishme ose një person me shumë audiencë mund të bëhet shumë më e madhe sesa zakonisht. Mund të kemi njerëz që rikthehen në vëmendje jo vetëm sepse kanë një projekt të ri, por sepse bashkë me rikthimin del edhe një histori e vjetër që askush nuk e kishte harruar aq sa ata shpresonin.
Hëna e Re e 11 shtatorit në Virgjëreshë është një nga pikat më të dobishme të muajit, sepse pas gjithë kësaj zhurme ajo sjell një energji shumë më konkrete. Këtu kemi një mundësi për të rregulluar sisteme, rutina, punë, organizim, shëndet publik, administratë, procese dhe mënyrën si bëhen gjërat në praktikë. Në nivel kolektiv mund të shohim reforma, ndryshime në rregullore, në procedura, në shërbime, në punë, në sektorë që kanë të bëjnë me shëndetin ose organizimin e përditshëm. Në nivel personal, kjo është periudha ku njerëzit mund të kuptojnë se problemi nuk është gjithmonë motivimi. Ndonjëherë problemi është se sistemi është mut. Nëse çdo ditë po të del e njëjta gjë keq, ndoshta nuk të duhet një afirmim i ri. Ndoshta duhet të ndryshosh mënyrën si e ke organizuar ditën.
Më 12 shtator, komunikimi bëhet shumë më interesant, sepse Merkuri lidhet fuqishëm me Plutonin dhe Neptunin. Kjo është periudhë ku mund të dalë informacion i thellë, dokumente, hetime, intervista, deklarata të rëndësishme, por njëkohësisht edhe konfuzion, keqinterpretim, manipulim ose dezinformim. Pra mund të kemi një histori ku del një fakt i vërtetë, pastaj dikush e shtrembëron, pastaj del një version tjetër, pastaj të gjithë bëhen ekspertë në internet dhe në fund askush nuk di më çfarë ishte lajmi origjinal. Kjo është një periudhë ku duhet të jemi shumë të kujdesshëm me titujt dramatikë. Një histori mund të ketë të vërtetë brenda saj, por jo domosdoshmërisht në formën që po qarkullon. Mund të kemi edhe rrjedhje dokumentesh, konflikte diplomatike, marrëveshje të fshehta që dalin, ose deklarata që më vonë duhet të tërhiqen apo korrigjohen.
Nga 14 deri më 16 shtator kemi një nga zonat më intensive të muajit. Më 15 shtator Venusi në Akrep përplaset me Plutonin në Ujor, ndërsa Neptuni dhe Plutoni krijojnë një sfond më të thellë transformimi. Këtu marrëdhëniet mund të bëhen më të ngarkuara, por edhe pushteti mund të bëhet më i dukshëm. Mund të shohim histori ku pyetja nuk është vetëm “kush me kë?”, por “kush kontrollon kë?”. Në marrëdhënie private mund të dalin xhelozi, manipulime, frikë nga humbja, rikthime të personave që kanë ende një ndikim shumë të fortë emocional, ose lidhje që fillojnë me një intensitet të çuditshëm. Dhe po, mund të ketë magnetizëm, mund të ketë pasion, mund të ketë atë lloj historie ku njerëzit thonë “kam ndjesinë sikur e njoh prej një jete”. Fine. Por para se të quajmë çdo obsesion “connection karmic”, ndoshta të shohim nëse personi di të komunikojë si njeri funksional. Intensiteti është shumë seksi derisa bëhet faturë emocionale.
Kolektivisht, ky është moment shumë i fortë për ekspozim të marrëdhënieve jo të shëndetshme të pushtetit. Mund të ketë histori nga industria e argëtimit, kompani të mëdha, institucione, figura publike, sport, politikë apo financë ku del se dikush ka pasur më shumë kontroll sesa dukej. Mund të ketë njerëz që humbasin reputacion, por edhe të tjerë që kthehen nga një periudhë e vështirë me një version më të fortë të vetes. Plutoni nuk është vetëm shkatërrim; është edhe rikthim pas krizës. Prandaj disa figura publike mund të përjetojnë një lloj “vdekjeje dhe ringjalljeje” të imazhit. Disa do përpiqen të pastrojnë emrin. Disa do dalin me rrëfime, dokumentarë, intervista, autobiografi, confession tours, të gjitha ato gjëra që njerëzit bëjnë kur duan të kontrollojnë versionin final të historisë. Dhe sigurisht publiku do bëjë atë që bën publiku: do gjykojë, do falë, do urrejë, do bëjë meme dhe pastaj do kalojë te skandali tjetër, mjafton që mos ti shani Luiz Ejllin.
Më 18 shtator kemi një pikë serioze për negociata, kontrata, komunikim dhe vendime. Merkuri përballet me Saturnin, dhe kjo mund të sjellë vonesa, refuzime, përgjegjësi, kufizime ose lajme që nuk janë aq të bukura sa do dëshironim. Në politikë mund të ketë bllokime marrëveshjesh, debate rreth ligjeve, negociata që ngecin, diplomaci që bëhet më e ftohtë, ose institucione që thonë “jo”. Në biznes mund të ketë kontrata që duhen rishikuar, plane që shtyhen, investime që kalojnë në kontroll më të madh, ose kompani që kuptojnë se një projekt nuk është ende gati. Në jetën e njerëzve, mund të ndihet si ajo periudha kur ke menduar se një gjë po ecën dhe papritur dikush të kërkon edhe tre dokumente, dy firma dhe shpirtin e gjyshes. Irrituese? Po. Fundi i botës? Jo domosdoshmërisht.
Në fakt, nga 20 deri më 22 shtator fillon të hapet një dritare më interesante. Jupiteri lidhet me Uranin dhe Merkuri me Jupiterin, duke sjellë ide të reja, kontakte, lajme, mundësi ose një mënyrë ndryshe për të zgjidhur një problem. Kjo mund të jetë periudhë shumë interesante për teknologji, media, platforma, argëtim, tregti, komunikim dhe gjithçka që kombinon krijimtarinë me inovacionin. Mund të dalë një produkt viral, një mënyrë e re e shpërndarjes së përmbajtjes, një teknologji që fillon të marrë vëmendje të madhe, një platformë që ndryshon diçka në treg, ose një ide që në fillim duket pak e çuditshme dhe pastaj kuptojmë se mund të ketë potencial shumë serioz. Duke pasur Uranin në Binjakë dhe Jupiterin në Luan, ka shumë mundësi që argëtimi dhe teknologjia të përzihen në mënyra që publiku i përqafon shpejt. Mund të jetë brilante. Mund të jetë qesharake. Mund të jetë aq qesharake sa të bëhet brilante.
Rreth 22–23 shtatorit, me kalimin e Diellit në Peshore, fokusi kolektiv zhvendoset më shumë te partneritetet, aleancat, marrëveshjet, ligji dhe diplomacia. Por kjo nuk vjen në një qiell të qetë. Përkundrazi, fundi i muajit ka një tension të fortë mes asaj që njerëzit përpiqen të paraqesin si marrëveshje dhe asaj që është realisht duke ndodhur poshtë saj. Kjo mund të sjellë negociata publike që duken shumë të bukura në konferencë shtypi dhe shumë më të komplikuara në prapaskenë. Mund të ketë marrëveshje që ndryshojnë në minutën e fundit, aleanca që duken më të dobëta se sa mendonim, ose liderë që kuptojnë se kompromisi ka një kufi.
Rreth 24 deri më 26 shtator kemi një nga kulmet e muajit. Hëna kalon mbi Nyjën e Veriut, ndërsa më 26 kemi Diellin përballë Neptunit, Diellin në harmoni me Plutonin dhe Hënën e Plotë në boshtin Dash–Peshore. Kjo është një periudhë që mund të sjellë konfuzion të madh dhe pastaj një lloj ekspozimi. Mund të dalë një histori që fillimisht ka shumë mjegull rreth saj. Dikush mohon. Dikush thotë se është keqkuptim. Dikush tjetër nxjerr dokument. Pastaj del një video. Pastaj del një dëshmitar. Pastaj, si zakonisht, interneti merr rolin e gjykatës supreme për 36 orë. Ky është lloji i periudhës ku një figurë publike mund të duket e dobët, e paqartë ose e përfshirë në një situatë që nuk e kontrollon më dot. Por aspekti me Plutonin tregon se pas mjegullës mund të dalë diçka shumë më konkrete.
Hëna e Plotë në Dash e bën fundin e muajit shumë më të drejtpërdrejtë. Kjo mund të sjellë vendime, deklarata, ndarje, konflikte, kërkesa për autonomi, përplasje rreth drejtimit dhe momente ku njerëzit vendosin të mos bëjnë më kompromis. Në marrëdhënie, kjo mund të jetë periudhë ku njëri thotë: “Po, por unë çfarë dua?” Në politikë, mund të shohim liderë që bëhen më konfrontues, negociata që kalojnë në ultimatum, protesta, tensione diplomatike ose vendime gjyqësore që krijojnë reagim të fortë. Nuk po them se duhet të presim katastrofë, por klima është shumë më e polarizuar. Është një moment ku kompromisi testohet nga nevoja për individualitet.
Në çështje aksidentesh dhe incidenteve, shtatori ka disa momente ku Marsi dhe Urani aktivizohen në mënyrë më nervoze. Kjo mund të korrespondojë me periudha ku shpejtësia, teknologjia, transporti, energjia elektrike, makineritë ose reagimet impulsive kërkojnë më shumë kujdes. Nuk po them që “më 27 do bjerë avion”, sepse ky lloj fatalizmi është astrologji dembele dhe morbid curiosity, jo forecast edhe pse ca astrolog si puna ime me dërrasa mangut e bëjnë. Por në nivel kolektiv, mund të shohim lajme rreth defekteve teknike, ndërprerjeve, incidenteve në transport, problemeve të komunikimit ose situatave që përshkallëzohen shumë shpejt sepse dikush veproi pa menduar. Fundi i muajit sidomos ka më shumë energji të tillë, prandaj mund të jetë periudhë me lajme më të papritura dhe më dramatike.
Më 27 shtator, Marsi përplaset me Kironin dhe kjo mund të sjellë reagime shumë të forta ndaj plagëve të vjetra. Në marrëdhënie familjare, kombëtare ose emocionale, njerëzit mund të reagojnë jo vetëm ndaj asaj që po ndodh tani, por ndaj historisë që ajo situatë u kujton. Kjo mund të prodhojë zemërim, debate, shpërthime dhe vendime të marra nën presion. Në politikë mund të shohim retorikë më agresive, sidomos kur temat prekin identitetin, sigurinë ose historinë e një grupi. Në jetën e zakonshme, është ajo periudha ku dikush të thotë një fjali dhe ti reagon sikur të ketë ardhur me gjithë fisin tënd për të hapur plagën e vitit 2012. Problemi nuk është gjithmonë fjalia. Problemi është arkivi emocional që ajo hapi.
Dhe pastaj Marsi hyn në Luan, duke ndryshuar tonin e fundit të muajit. Kjo është shumë e rëndësishme sepse Jupiteri është tashmë në Luan dhe Nyja e Jugut gjithashtu ndodhet në atë territor. Pra papritur kemi shumë më tepër zjarr, shumë më tepër ego, ambicie, performancë, sport, konkurrencë, krijimtari, spektakël dhe dëshirë për t’u parë. Mund të ketë një valë të re projektesh, performancash, deklaratash të mëdha, launches, eventesh, rikthimesh dhe njerëzish që duan të marrin skenën. Në entertainment, fundi i muajit mund të jetë veçanërisht i zhurmshëm. Mund të kemi comeback të artistëve, njoftime të mëdha, reunion-e, projekte që ringjallen, formate të vjetra që rikthehen, ose një nostalgji shumë të fortë të kthyer në biznes. Jupiteri në Luan bashkë me Nyjën e Jugut është pothuajse perfekt për të monetizuar të kaluarën. “E mbani mend këtë gjënë që e donit para 15 vitesh? Excellent. Ja ku është përsëri, vetëm se tani kushton dyfish.”
Por jo çdo comeback do funksionojë. Kjo është pjesa interesante. Disa gjëra do rikthehen dhe publiku do t’i dojë. Disa do rikthehen dhe do krijojnë vetëm një moment nostalgjie. Disa do të duken krejtësisht të vjetruara, sepse ndërkohë North Node në Ujor dhe Plutoni në Ujor po kërkojnë një mënyrë të re organizimi, një publik të ri, një teknologji të re, një mënyrë të re shpërndarjeje. Pra ajo që nga e kaluara mund të përshtatet me të ardhmen ka potencial. Ajo që kërkon vetëm të rivendosë kurorën e vjetër mbi kokë dhe të presë që të gjithë të duartrokasin, mund të zbulojë se salla ka ndryshuar.
Në ekonomi dhe financa, shtatori më duket si muaj ku duhet shumë kujdes me hype-in. Jupiteri në Luan mund të fryjë optimizëm, dëshirë për konsum, luks, argëtim dhe risk, ndërsa Neptuni aktivizohet mjaftueshëm sa të krijojë konfuzion rreth vlerës reale të disa gjërave. Kjo mund të përkthehet në tregje që reagojnë fort ndaj lajmeve, kompani që marrin shumë vëmendje për një periudhë të shkurtër, produkte që bëhen trend, ose njerëz që hyjnë në mundësi sepse “të gjithë po flasin për të”. Nëse shtatori ka një këshillë financiare simbolike, është kjo: mos e ngatërro popullaritetin me vlerën. Një gjë mund të jetë kudo në internet dhe prapë të jetë budallallëk.
Në dashuri, muaji është shumë më intensiv sesa duket në fillim. Fillimi mund të ketë frustrim, por mesi i muajit mund të sjellë rikthime, tërheqje të forta, lidhje të fshehta, xhelozi, pyetje rreth besimit dhe marrëdhënie që kërkojnë të shkojnë më thellë. Disa njerëz mund të kuptojnë se janë më pak të interesuar për “a më do?” dhe shumë më të interesuar për “a mund të të besoj?”. Dhe kjo është pyetje më e rëndësishme. Mund të ketë ndarje, por edhe lidhje që bëhen shumë më serioze. Mund të ketë takime që ndihen shumë intensive, por këshilla është të mos ngatërrohet magnetizmi me stabilitetin. Në fund të muajit, Hëna e Plotë në Dash dhe hyrja e Marsit në Luan mund të bëjnë që njerëzit të bëhen më të drejtpërdrejtë me dëshirat e tyre. Kjo është mirë. Vetëm mos e bëni çdo dëshirë ultimatum.
Në punë dhe karrierë, shtatori mund të jetë shumë produktiv nëse pranojmë se jo çdo vonesë është dështim. Fillimi i muajit kërkon strukturë. Hëna e Re në Virgjëreshë kërkon rregullim të sistemeve. Mesi kërkon strategji dhe negociata. Fundi sjell ide të reja dhe më shumë guxim për të vepruar. Pra për shumë njerëz, muaji mund të ketë një progresion shumë të qartë: fillimisht një pengesë, pastaj rishikim, pastaj një ide tjetër, pastaj një mundësi që nuk ishte në planin origjinal. Nëse diçka bllokohet në fillim të shtatorit, mos e quaj menjëherë dështim. Mund të jetë thjesht mënyra e jetës për të të thënë: “Kjo pjesë është e dobët. Rregulloje para se të bëhet më e madhe.”
Dhe për kolektivin në përgjithësi, kjo është ndoshta tema më e rëndësishme e shtatorit: ne po shohim gjithnjë e më qartë konfliktin mes figurës së madhe individuale dhe rrjetit. Jupiteri në Luan vazhdon të zmadhojë celebrities, liderët, personal brands, sportistët, artistët dhe njerëzit që duan skenën, ndërsa Plutoni në Ujor dhe Nyja e Veriut në Ujor vazhdojnë të ndryshojnë mënyrën se si kolektivi organizohet, komunikon dhe shpërndan pushtetin. Kjo mund të prodhojë një muaj ku njerëzit e famshëm janë jashtëzakonisht të dukshëm, por në të njëjtën kohë publiku bëhet shumë më pak i durueshëm me idenë se fama të bën automatikisht autoritet. Mund të kemi celebrity takedowns, por edhe comeback. Mund të kemi figura të reja që shfaqen nga interneti, komunitete ose teknologjia dhe marrin hapësirë që dikur ishte rezervuar vetëm për institucionet tradicionale.
Pra çfarë parashikoj për shtatorin në një kuptim shumë të përgjithshëm? Parashikoj një muaj me shumë rikthime, por jo të gjitha të suksesshme. Parashikoj një fillim më të rëndë dhe më të bllokuar, një mes muaji me shumë informacion, marrëdhënie intensive dhe histori që dalin në sipërfaqe, dhe një fund muaji dukshëm më të zhurmshëm, më të guximshëm dhe më teatral. Parashikoj skandale që përfshijnë para, seks, pushtet, marrëdhënie ose figura publike. Parashikoj histori ku dikush përballet me pasoja ose kufizime ligjore. Parashikoj zhvillime në teknologji dhe media që mund të duken të vogla në fillim, por të kenë ndikim më të madh më vonë. Parashikoj një periudhë rreth mesit të muajit ku duhet shumë kujdes me informacionin dhe me atë që quajmë “e vërtetë”, sepse mund të ketë shumë manipulim, propagandë ose versione të ndryshme të së njëjtës histori. Parashikoj tension më të madh politik dhe diplomatik rreth fundit të muajit. Dhe po, parashikoj edhe komedi kolektive, sepse Jupiteri në Luan nuk do na lërë pa ndonjë moment ku një person shumë serioz përfundon aksidentalisht si meme ndërkombëtare.
Këshilla për shtatorin është shumë e thjeshtë: mos u impresiono vetëm nga madhësia e asaj që vjen. Shiko çfarë ka brenda. Një ofertë e madhe mund të jetë bosh. Një rikthim i madh mund të jetë vetëm nostalgji. Një person shumë magnetik mund të jetë thjesht një walking red flag me flokë të mirë. Një skandal shumë dramatik mund të ketë vetëm gjysmën e informacionit. Një refuzim mund të jetë mënyra më e mirë që një projekt të riformulohet. Dhe një vonesë mund të jetë ajo që të shpëton nga një vendim i keq.
Shtatori nuk është muaj që na pyet nëse duam ndryshim. Ai duket sikur na pyet: a jemi gati të dallojmë ndryshimin real nga zhurma? Sepse do ketë shumë zhurmë. Do ketë njerëz që rikthehen. Do ketë njerëz që bien. Do ketë histori që shpërthejnë. Do ketë gjëra që duken të mëdha për tre ditë dhe pastaj zhduken. Dhe do ketë edhe disa gjëra që në fillim duken të vogla, por që mund të jenë sinjalet më serioze të asaj që vjen më pas.
Në fund të muajit, me Marsin në Luan dhe me energjinë më të fortë të zjarrit, shumë njerëz do ndiejnë sikur duan të dalin përpara, të marrin një vendim, të bëjnë një lëvizje, të krijojnë, të performojnë, të thonë diçka, të provojnë diçka që më parë e kanë mbajtur mbrapa. Kjo është pjesa e mirë. Vetëm mbani mend gjithë atë që muaji na ka mësuar deri aty: të qenit i dukshëm nuk është e njëjta gjë me të qenit i rëndësishëm, dhe të qenit i guximshëm nuk është e njëjta gjë me të qenit impulsiv.
Ndoshta kjo është mënyra më e mirë për ta kuptuar Shtatorin 2026. Ai fillon me pyetjen: “Pse po më bllokohet kjo?” Pastaj kalon te: “Çfarë nuk po më thuhet?” Më pas te: “Kush ka pushtetin këtu?” Dhe në fund arrin te pyetja që ka më shumë rëndësi: “Mirë. Tani që e di, çfarë do bëj?”
Dhe pikërisht aty ndahen njerëzit, institucionet, marrëdhëniet dhe historitë që do ecin përpara nga ato që vetëm po bëjnë xhiron e fundit në skenë. Sepse e kaluara mund të rikthehet. Reputacioni mund të rikthehet. Dashuria mund të rikthehet. Një projekt mund të rikthehet. Një figurë publike mund të rikthehet. Një ide mund të rikthehet. Edhe një skandal mund të rikthehet, sepse interneti ka memorien e një elefanti të traumatizuar.
Por pyetja nuk është më nëse diçka kthehet. Pyetja është nëse ka ende jetë brenda saj. Dhe Shtatori 2026 duket shumë i gatshëm të na tregojë ndryshimin.
xx
cryztal
1 comment
We love you 🥰